Aktualitet

Masakra e Shkodrës/ Ragip Gila nuk veproi i vetëm, në kërkim dy bashkëpunëtorët! 'Bastiset' banesa me municion luftarak

Blutë e Shkodrës bëjnë me dije se ka shpallur në kërkim dy persona, B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, të cilët dyshohet se i kanë siguruar armët autorit të ngjarjes.

zh.ll
Masakra e Shkodrës/ Ragip Gila nuk veproi i vetëm, në kërkim
foto nga policia

SHKODËR- Detaje të reja janë zbuluar nga masakra e djeshme në Shkodër, ku mbetën të vrarë dy persona dhe dy të tjerë u plagosën. Blutë e Shkodrës bëjnë me dije se ka shpallur në kërkim dy persona, Barush Bregu 39-vjeç, dhe një 17-vjeçar, të cilët dyshohet se i kanë siguruar armët autorit të ngjarjes. Nga hetimet, policia ka zbuluar edhe një banesë në lagjen “Guerrile”, që është përdorur nga autori dhe bashkëpunëtorët, brenda së cilës u gjetën dhe u sekuestruan 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore dhe municion luftarak. Ndërkohë, autoritetet janë duke punuar për kapjen e dy të shpallurve në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë

Vijojnë veprimet hetimore dhe kontrollet, me qëllim dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, ku shtetasi R. G. qëlloi me armë zjarri dhe si pasojë humbën jetën 2 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë.  

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas që dyshohet se kishin siguruar armatim, mjete dhe pajisje të tjera për kryerjen e krimeve të rënda ndaj jetës.

Zbulohet një banesë në lagjen “Guerrile”, që përdorej nga 2 shtetasit në kërkim, si bazë për aktivitete kriminale. Sekuestrohen 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore dhe municion luftarak.    

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 08:50, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja” dhe me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër:

-arrestuan në flagrancë shtetasin R. G., 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”. 

U sekuestruan:    

-2 armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë me fishek në fole), 1 skafandër, 1 maskë, 1 jelek antiplumb dhe 1 shishe 1.5 l e mbushur me lëndë djegëse, që iu gjetën shtetasit R. G., i cili u vu në pranga nga shërbimet e Policisë, pas ngjarjes;        

 -automjeti që ky shtetas vodhi nën kërcënimin e armës, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe motomjeti pa targë dhe pa numër shasie, që ai la në vendin e ngjarjes.    

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit B. B. alias B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje (e cila jeton jashtë vendit), të cilën këtë shtetas e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar: 

1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike. 

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e veprimtarive kriminale të tyre.   

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së hënës, 8 shtator, ku 29-vjeçari Ragip Gila hapi zjarr në një lokal pranë Bashkisë së Shkodër, ku Armando Pali dhe Erogen Brajoviçku ishin duke pirë kafe. Por breshëria e plumbave kapi 5 persona, mes tyre kamarieren 25-vjeçare Meri Kaceri dhe një grua që ndodhej rastësisht në vendngjarje. I vdekur mbeti Armando Pali, punojës i IKMT-së dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, truproja e Erogen Brajoviç. Ndërsa Erogen Brajoviçku i cili ka qenë shënjestra e atentatit, mbeti i plagosur. 

Ndërkohë, autori 29-vjeçarë u arrestua gjatë një tentativë për t'i ikur policisë, ku u aksidentua në dalje të qytetit dhe më pas u largua me këmbë drejt lumit Kir. Por, pas një ndjekje prej disa minutash ai u kap nga Forcat Shqiponja, ndërsa gjatë arrestimit iu sekuestrua edhe arma e krimit. Në dëshminë e tij, Guli ka pohuar se objektivi i tij ishte vetëm një person, Erogen Vaso.

Nga ana tjetër, 43-vjeçari Erogen Vaso (Brajoviç), vëllai i Denis Bajrit ndodhet në spitalin e Traumës, nga ku ka bërë edhe një reagim ku thekson se nuk ka lidhje me asnjë grup kriminal ndërsa kërkon që të zbardhen sa më shpejt motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë./ZËRI

Poll

MOS HUMB