
SHKODËR- Gjykata e Shkodrës ka caktuar sot masat e sigurisë për 4 efektivët e forcave “Shqiponja”, që u ndodhën në vendin e ngjarjes në masakrën e Dobraçit. Gjatë seancës së sotme, ndaj 4 efektivevë të arrestuar është caktuar masa "detyrim paraqitje" dhe "ndalim i daljes nga vendi". Po ashtu, deri në një moment të dytë, ata janë pezulluar nga detyra. Para trupës gjykuese, kanë deklaruar se ata nuk e kanë njohur se kush është personi i tretë për të cilin flitet se ka qenë në makinë me viktimat, e po ashtu, nuk e kishin dalluar as nëse ishte i plagosur. Sipas tyre, as nuk dinë të thonë nëse personi në fjalë ka qenë apo jo Ibrahim Lici, për të cilin shtojnë se nuk e njohin.
“Ne jemi patrulla e dytë që kemi mbërritur në vendngjarje dhe kur kemi shkuar kemi parë shumë kaos, me shumë persona që ndodheshin aty, rreth 50 vetë. Nuk kemi qenë të planizuar aty, por kemi dëgjuar në radio se ka aksident rrugor dhe jemi nisur për atje. Sapo kemi mbërritur kemi respektuar procedurat standard. Dy vetë kemi bërë rrethimin e vendngjarjes për të bllokuar kalimin dhe dy të tjerë kanë qëndruar aty. Pasi mbërritëm kuptuam se nuk bëhet fjalë për aksident rrugor por për vrasje me armë zjarri. Menjëherë kemi njoftuar sallën operative dhe ambulancën njëkohësisht. Sapo ka mbërritur ambulanca kemi dhënë ndihmën e parë për të plagosurit që ishin ende gjallë për t’i transportuar drejt urgjencës të spitalit. Personin e tretë që flitet nuk e kemi njohur se kush është. Nuk kemi patur asnjë dijeni nëse është Ibrahim Lici apo dikush tjetër sepse nuk e njohim. Prioritet kemi patur që të rrethojmë vendngjarjen sepse ishte kaos i plotë dhe t’i japim ndihmë të plagosurve që ishin ende gjallë,”- mësohet të kenë thënë katër policët e dyshuar që gjykata i liroi.
Policët nën hetim
1- Blerim Kurmekaj - Inspektor në patrullën e Përgjithshme e Forcës së Posaçme 'Shqiponja', Shkoder, 45 vjeç
2- Viktor Logu - Inspektor në patrullën e Përgjithshme e Forcës së Posaçme 'Shqiponja', Shkoder, 33 vjeç
3- Julian Sterkaj - Inspektor në Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër, 31 vjeç
4- Marte Martini, - Inspektor në Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër 33 vjeç
Ata akuzohen per ''Shpedorim detyre''.
4 efektivët u arrestuan me 20 Nëntor, pas një hetimi ndaj tyre nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohen se nuk ndaluan personin e tretë që ndodhej në makinë me dy shënjestrat e atentatit.
Aktualisht, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë 'në duar' për të hetuar masakrën e Dobraçit pasi Prokuroria e Shkodrës ka dyshime të forta se atentati është porositur, organizuar dhe finalizuar nga një grup kriminal. Në ngjarjen e ndodhur në 30 tetor, Hamza Lici humbi jetën në timon për shkak të një plumbi që mori në zemër, ndërsa makina e tij përplasi një motoçikletë me të cilin udhëtonin çifti Flutura dhe Bashkim Basha. 66-vjeçarja humbi jetën në vend nga përplasja, ndërsa i shoqi ndërroi jetë të dielën në spitalin e Shkodrës. Në mjet bashkë me Licin ishte dhe Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë gjithashtu në spital disa orë pas ngjarjes për shkak se kishte marrë një plumb në kokë./ZËRI