SHKODËR- Katër punonjës të Policisë së Shtetit janë vendosur në pranga për masakrën e Dobraçit. Dyshohet se punonjësit kanë shpërdoruar detyrën, pasi nuk shoqëruan dhe nuk identifikuan personat e gjetur në vendin e ngjarjes. Në pranga kanë përfunduar: Blerim Kurmekaj, Viktor Logu, Julian Sterkaj dhe Marte Martiki. Të katër këta efektivë kanë qenë në vendin e ngjarjes, por nuk kanë bërë ndalimin e personit të tretë që ndodhej në vendin e ngjarjes duke i dhënë ndihmën e parë Hamza Licit, i cili kishte ndërruar jetë nga të shtënat me armë zjarri.
Pikërisht ky person, dyshohet se është Ibrahim Lici, një nga personat më të kërkuar nga Policia e Shtetit, i cili mendohet se ka qenë edhe shënjestra e atentatit.
NJOFTIMI I AMP:
Shkodër - AMP ndalon 4 punonjës policie të dyshuar për “Shpërdorim detyre”
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) ka ekzekutuar Urdhërat e ndalimit caktuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ndaj 4 punonjësve të policisë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre “ pasi nuk kanë rrespektuar procedurat standarde të “Sigurimit të vendit të ngjarjes” dhe shoqërimit për identifikim të personave të gjetur në vendin e ngjarjes. Inspektor B. K., dhe V.L., përkatësisht 45 dhe 33 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme e Forcës së Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër. Inspektor J. S., dhe M.M., përkatësisht 31 dhe 33 vjeç me detyrë Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër. Urdhëri i ndalimit vjen pas referimit të bërë nga Drejtoria Rajonale e AMP – së, në lidhje me ngjarjen kriminale të datës 30 tetor, në lagjen Dobraç të Shkodrës, ku persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit tip Benz S-Class, në të cilin udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., si dhe një person tjeter i paidentifikuar. AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090.
Aktualisht, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë 'në duar' për të hetuar masakrën e Dobraçit pasi Prokuroria e Shkodrës ka dyshime të forta se atentati është porositur, organizuar dhe finalizuar nga një grup kriminal. Në ngjarjen e ndodhur në 30 tetor, Hamza Lici humbi jetën në timon për shkak të një plumbi që mori në zemër, ndërsa makina e tij përplasi një motoçikletë me të cilin udhëtonin çifti Flutura dhe Bashkim Basha. 66-vjeçarja humbi jetën në vend nga përplasja, ndërsa i shoqi ndërroi jetë të dielën në spitalin e Shkodrës. Në mjet bashkë me Licin ishte dhe Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë gjithashtu në spital disa orë pas ngjarjes për shkak se kishte marrë një plumb në kokë./ZËRI