SHKODËR- Masakra e Shkodrës më dy të vrarë dhe dy të plagosur ka tronditur jo vetëm qytetin verior, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Autori Ragip Gila është marrë në pyetje menjëherë pas arrestimit, i cili ka dëshmuar se objektivi i tij i vetëm ka qenë Erogen Vaso (Brajoviç). Ky i fundit, mbeti i plagosur pasi plumbat që ishin të destinuar për të qëlluan për vdekje Armando Palin dhe Liridon Kraja (Lushi).
Plumbat nuk kursyen as kamarieren e lokalit ku ndodhi ngjarja, Meri Kaceri 25-vjeçe., e cila mbeti e plagosur. Ajo ndodhet në spitalin e Shkodrës në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa sot do të merret në pyetje nga hetuesit.
Ndërkohë, ditën e djeshme, ka dëshmuar edhe shënjestra e këtij atentati Erogen Vaso. Megjithatë, dëshmia e tij nuk ka ndihmuar aspak hetuesit për zbardhjen e ngjarjes, për më tepër që ai deklaroi se nuk kishte konflite dhe nuk e njihte autorin. Dëshmia e tij rrëzon alibinë e Gilës, duke e bërë akoma edhe më të mistershme ngjarjen, motivet dhe personin/at që fshihen pas këtij atentati.
Ndërkohë policia dyshon se kemi të bëjmë me një vrasje me pagesë, ndërsa dje u shpallën në kërkim dy persona të tjerë që ndihmuan autorin. Njëri prej tyre rezulton një emër i njohur për autoritetet, madje, krahu i djathtë i Licëve në Shkodër. Bëhet fjalë për Barush Bregun 39-vjeç, i dyshuar si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, por edhe i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike./ZËRI


