Aktualitet

SPAK: Disa anëtarë të kabinetit të Ballukut kërcënuan dëshmitarët

Prokurori mësohet të ketë thënë në mbledhje se fjala “të fortë” i referohet njerëzve në kabinetin e zv.kryeministres Balluku dhe jo personave të tjerë.

zh.ll
SPAK: Disa anëtarë të kabinetit të Ballukut
keshilli i mandateve

TIRANË- Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku u shqyrtua kërkesa për arrestimin e Belinda Ballukut, prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë paraqitur argumentet e tyre. Burime bëjnë me dije se gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të deputetit të PD-së, Gazment Bardhi, përfaqësuesit e SPAK kanë deklaruar se janë konstatuar fakte të tjera penale që, sipas tyre, rëndojnë pozitën procedurale të Ballukut.

Përfaqësuesit e SPAK kanë dhënë më shumë detaje lidhur me këto pretendime. Sipas SPAK, në përgjigje për pyetjet e bëra nga anëtarët e PD, më 20 nëntor 2025, Balluku dyshohet se ka intimiduar dy dëshmitarë, duke u kërkuar të ndryshojnë dëshminë e tyre. Po sipas Bardhit, SPAK ka theksuar se bëhet fjalë për persona të krimit 'të fortë', të cilët, kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të Ballukut.

Përgjigjja e Prokurorëve për pyetjet e PD, sipas Bardhit: 

-Gjithashtu, konfirmoi se në datë 20 Nëntor 2025 ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë.

-Po ashtu, prokuroria informon se ka prova se disa persona “të fortë” (duke nënkuptuar elementë të krimit të organizuar) kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të zonjës Balluku. Për këtë kanë paraqitur edhe provat në mbledhjen e Këshillit – transkripte të bisedave.

Por gjatë mbledhjes, burime për TCH raportuan se prokurori i SPAK, Dritan Prençi e ka përgënjeshtruar përmbajtjen që është shpërndarë në media. Prençi ka thënë se fjala “të fortë” i referohet njerëzve në kabinetin e zv.kryeministres Balluku dhe jo personave të tjerë.

Prokuroria ka theksuar se këto pretendime mbështeten në transkripte bisedash, të përfshira në rreth 16 mijë faqe materiale që SPAK ka dorëzuar në Kuvend./ZËRI

Poll

MOS HUMB