GREQI-Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni në Greqi, ku u godit një organizatë kriminale që vepronte në ishullin e Kretës, e cila dyshohet se importonte në mënyrë të paligjshme municione luftarake nga Shqipëria. Në pranga u vendosën Manolis Janulis, Nikolas Lagudhaqis, Jorgos Karcionaqis, Manushos Pisadhaqis dhe shtetasi shqiptar Kostika Braho.
Hetimet zbuluan se që prej prillit 2025, anëtarët e kësaj organizate kishin bashkëpunuar me një rrjet tjetër kriminal me qëllim trafikimin e sasive të mëdha fishekësh drejt Kretës. Por gjatë hetimeve dhe dëshmive të dhëna nga 'koka' e grupit, u zbulua se plumbat nuk do të përdoreshin vetëm nga organizatat kriminale.
Qëllimi i trafikimit?
Përveç furnizimit me municione të grupeve kriminale, trafikimi bëhej kryesisht për përdorim në dasma dhe evente të tjera shoqërore.
Në rastin e vitit 2019, kreu i grupit kishte udhëtuar disa herë në Shqipëri për të arritur te "burimi" dhe për t'u takuar ballë për ballë me furnizuesit e tij. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se hyri në Shqipëri në këmbë për të shmangur pikat e kontrollit. Kur u kap, ai pretendoi se kishte sjellë 122,000 plumba nga Shqipëria në Kretë për të shkuar të qëllonte me miqtë e tij në mal, duke mohuar natyrshëm çdo akuzë për trafikim, raporton Protothema.
65-vjeçari, organizatori kryesor, i cili merrej me mbledhjen e porosive dhe pagesave për municionet, udhëtonte drejt kufirit dhe më pas organizonte shitjen në Kretë, duke i shpërndarë vetë me motoçikletë.
Rrjeti funksiononte në mënyrë të mirëorganizuar: porositë për municione mblidheshin në Greqi, dhe më pas sigurimi i tyre kryhej nga një furnizues i paidentifikuar në Shqipëri. Transporti realizohej nëpërmjet rrugës tokësore dhe detare, përmes dy automjeteve, ku njëri prej tyre ishte një kamion i modifikuar enkas për fshehjen e municioneve. Në total, nga kontrollet e kryera në automjete dhe shtëpi, u gjetën dhe u konfiskuan: 24,126 fishekë, një pushkë, 900 euro dhe automjete (motoçikletë, kamion dhe makinë). Fishekët dhe armët e sekuestruar do të ekzaminohen./ZËRI
