
TIRANË- I veshur me kostum dhe me pranga në duar, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, ku nuk i shpëtoi pyetjes së gazetarëve: a e ka shkelur Edi Rama Kushtetutën gjatë shkarkimit tuaj? Veliaj ka dashur të komunikojë diçka me gazetarët dhe mediat e pranishme jashtë Gjykatës, por nuk është lejuar nga ana e gardianëve, të cilët e kanë futur me shpejtësi brenda ambienteve të Kushtetueses, ku do të mbahet seanca për shkarkimin e tij. Seanca pritet që të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë e hapur për mediat, ndërsa vetë Veliaj do të argumentojë qëndrimin e tij se pse shkarkimi nga këshilli bashkiak, i iniciuar nga kryeministri Edi Rama, është i paligjshëm. Kjo është hera e parë pas afro 9 muajsh që Veliaj lë qelinë e paraburgimit, dhe bën dalje publike.
Veliaj kundërshtoi vendimin e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e tij, duke pezulluar përkohësisht dhe dekretin e presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës. Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Veliajt, duke e futur në seancë, dhe rrjedhimisht duke pezulluar shkarkimin e tij, deri në një vendim përfundimtar.
Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese i ka dërguar një shkresë Veliajt, në cilësinë e palës në proces, duke e pyetur nëse dëshironte të merrte pjesë personalisht në seancë, e drejtë që iu mohua gjatë vendimmarrjes në Këshillin Bashkiak.
Më 13 tetor, gjykata ka njoftuar gjithashtu Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, duke e informuar për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe për marrjen e masave të nevojshme në rast se Veliaj do të shprehte vullnetin për të qenë i pranishëm.
Erion Veliaj ka paraqitur ankim në Gjykatën Kushtetuese më 25 shtator, kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij, vendim i cili ishte propozuar më parë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e Tiranës, por ky dekret u pezullua nga Gjykata Kushtetuese me një vendim të përkohshëm, derisa të jepet vendimi përfundimtar mbi çështjen e shkarkimit të Veliajt.
Kjo do të jetë hera e parë që Veliaj lë qelinë e paraburgimit, prej arrestimit të tij në 10 shkurt të këtij viti. Ai u arrestua pasi Gjykata e Posaçme firmosi masën e arrestit me burg të kërkuar më parë nga SPAK për vepra penale të korrupsionit, i kryer nëntë herë në bashkëpunim./ZËRI