Aktualitet

Drogë me postë nga SHBA në Tiranë, pranga 24-vjeçarit, identifikohet edhe dërguesi

Në pranga është vendosur një 24-vjeçar, i cili ndodhej në pikën postare për të marrë dërgesën e lëndës narkotike, e ardhur nga SHBA.

F.I
Drogë me postë nga SHBA në Tiranë, pranga
Franci Veizaj

TIRANË-Goditet një tjetër rast i trafikut të drogës përmes shërbimit postar. Në pranga është vendosur një 24-vjeçar, i cili ndodhej në pikën postare për të marrë dërgesën e lëndës narkotike, e ardhur nga SHBA. Franci Veizaj u kap në flagrancë, ndërsa iu sekuestruan rreth 3.6 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, me vlerë 50 000 euro.

Porosia ishte bërë për dekore artistike për shtëpi, por që në brendësi kishte lëndën narkotike. Policia ka identifikuar edhe dërguesin e pakos me kanabis nga SHBA dhe pritet të verifikohet në bashkëpunim me palën amerikane. Dyshohet se Veizaj kishte marrë dhe herë të tjera kanabis nga jashtë shtetit përmes postës. Ai rezulton një emër me precedent të mëparshëm penal, i arrestuar për drogë në vitin 2022.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet një tjetër fazë e operacionit të koduar “Destinacioni” kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar.

Vihet në pranga një 24-vjeçar që trafikonte nga SHBA në Shqipëri, lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC.

Sekuestrohen rreth 3.6 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, me vlerë 50 000 euro.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit “Destinacioni”, kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Destinacioni 5”, u arrestua shtetasi F. V., 24 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një degë postare, duke marrë një pako me rreth 3.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga SHBA.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB