VLORË- Mendohej se ishte në Spanjë, por Flodian Plaku kishte ardhur në Shqipëri, në vendlindjen e tij në Orikum. Flodian Plaku, i njohur edhe me mbiemrat Mamo e Serjani dhe me nofkën “Pole Qorri”, i dyshuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas më 15 mars 2024 është kapur sot në Vlorë, në një hotel. Mesa duket ishte rikthyer në atdhe për të shijuar sezonin e verës, por u kap nga Forcat Operacionale, në një operacion të drejtuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.
ZËRI ka siguruar edhe një foto të arrestimit të tij, ku duket Plaku me syze dhe me një varse floriri në qafë, ndërsa dy duart i ka pas shpine nga dy efektivat e "Operacionales".
Policia e Shtetit ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar, por është mësuar se Flodian Plakut i janë gjetur me vete 2 armë zjarri, të cilat janë sekuestruar. Po ashtu, mesohet se gjatë operacionit janë ndaluar 7 persona të tjerë që mesa duket shoqëronin 42-vjeçarin. Megjithatë edhe pse të ndaluar, identiteti i asnjërit prej tyre nuk është mësuar.
Plaku akuzohet si personi që ekzekutoi Gentian Bejtjan. Identifikimi i Florian Plakut është kryer përmes një analize ADN-je, pasi gjurmët e tij të gishtave janë gjetur në një makinë Golf 7 që dyshohet se u përdor për largimin e autorëve të vrasjes.
Gjurma biologjike e marrë në makinë është krahasuar në bankën e të dhënave të ADN-së që ndodhet në policinë kriminale në Policinë e Shtetit, e cila rezultoi se i përkiste gjurmëve të personit të arrestuar në 2019 për trafik droge, Florian Plaku.
Si u realizua vrasja?
Gentjan Bejtja u ekzekutua pasditen e 15 marsit të vitit 2024 brenda oborrit të banesës së Larushk. Mbi Bejtjan janë qëlluar 50 plumba, 30 prej të cilëve kanë rezultuar fatal dhe e kanë prekur në fytyrë e trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Bejtja dyshohet se kishte dijeni edhe për shumë krime të tjera që kishin ndodhur në harkun kohor të 10 viteve të fundit, ku në mos ishte drejtpërdrejt i implikuar, të paktën kishte dijeni apo besohej se kishte tradhtuar, ata që deri dje u shërbente. Në të shkuarën ai është dyshuar si i përfshirë në disa atentate, si personi që ka nxjerrë në pritë viktimat, informator apo ndihmës i ekzekutorëve./ZËRI