Aktualitet

Theu LIVE xhamat e Bashkisë së Korçës, "Çekiçi": Jam gango! Nuk pendohem, Rama mos të bëjë më gabime

Sot, ish-futbollisti i "Skënderbeut" u shoqërua në Komisariatin e Policisë për t'u njohur me faktin që blutë e qytetit kanë nisur hetimet ndaj tij.

k.m.
Theu LIVE xhamat e Bashkisë së Korçës,
Konstadin Dramolli

KORÇË- "Çekiçi 14", Konstadin Dramolli aktualisht është nën hetim për aktin e tij "kryengritës". I riu nga Korça, dy ditë më parë, ë shenjë proteste kundër vendimit të kryeministrit Rama për lirimin e hapësirave publike, vendosi të thyente xhamat e Bashkisë së Korçës. Sot, ish-futbollisti i "Skënderbeut" u shoqërua në Komisariatin e Policisë për t'u njohur me faktin që blutë e qytetit kanë nisur hetimet ndaj tij.

"Specialistë për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin K. D., 27 vjeç, banues në Korçë, pasi rreth orës 02:15, ka goditur me gurë xhamat e Bashkisë Korçë,"-njofton Policia.

Pasi ka dalë nga Komisariati, ka gjetur edhe kohën për të bërë një prononcim për mediat.

"E ka marrë vesh gjithë Shqipëria incidentin, e bëra dhe viral se populli nuk duhet të jetë shumë i fjetur, duhet të çohet e të tregojë se kush është karakteri i vërtet që ka njeriu. Kjo është arsyeja përse e kam bërë. Këtu në vendin ku ndodhem unë është e rrënuar, janë lokalet, të shkatërruara. E dha urdhrin Edi Rama, mori Sotiraqin në telefon dhe e shkatërruan lagjen time. Çfarë lidhje ka kjo, të heqim karriget, heqim barishtet. Edhe tavolinat, është gabim. Nga ato 4 tavolina njerëzit ushqehen. Ka shumë familjarë që nga katër tavolina nxjerrin bukën e gojës. Ka sulmuar disa lokale në Korçë, nuk janë sjellje prej kryeministri. Duhet të shohë popullin, që ka nevojë. Duhet të ngrejë rrogat. Unë merrem me rep por e mbaj e postin e kryeministrit një ditë,”- thotë i riu për mediat.

I pyetur nëse është penduar për veprimet e tij, Dramolli tha: Nuk pendohem unë, ishte vendim i drejtë. Nuk duhet të flesh gjumë. Ndihem mirë. Edhe burg e bëj. Kam qenë i dënuar. Jam rritur në geto. Shoqëria ime është gango.

Por nuk do që të jetë i vetëm në "betejën" e tij.

"Nuk ka rëndësi sa i madh është Rama, populli duhet te ngrejë zërin. Nëse ai vazhdon, do bëhet me e madhe. Kam edhe çunat unë, gjithë qytetin e kam me vete. Do e marrin vesh si duhet, edhe bashkia edhe zotit Edi Rama do t'i shkojë llafi. Edhe të mos bëjë më nga këto gabime, por ta shohë situatën siç duhet,"- shprehet Dramolli.

Kostandin Dramolli, i njohur me emrin artistik “Çekiçi 14” pas tërheqjes nga futbolli, është aktualisht aktiv në skenën e muzikës “rap”. 26-vjeçari filmoi veten duke thyer xhamat e godinës së Bashkisë në shenjë proteste ndaj aksioneve të qeverisë për lirimin e hapësirave publike. Tani, përballet me ligjin./ZËRI

Poll

MOS HUMB