VLORË- Arrestohet Flodian Plaku, i akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjas në Larushkë të Fushë-Krujës. 42-vjeçari nga Vlora është ndaluar nga Policia në zonën e Orikumit, ndërsa gjatë kontrollit iu gjetën dy armë zjarri të tipit pistoletë. Sipas burimeve, Plaku kishte jetuar kryesisht në Greqi dhe Itali, por kohët e fundit dyshohet se ishte fshehur në Dubai për t’iu shmangur ndjekjes penale në Shqipëri.
Gjithashtu, bashkë me Plakun është arrestuar edhe një bashkëpunëtor i tij, i cili është identifikuar si shtetasi Juljan Aliaj. Po ashtu, ka raportime se ka persona të tjerë të ndaluar, por ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Policia.
Flodian Plaku, alias Florian Serjani, alias Flodian Mamo, 42-vjeç, njihej në qytetin e Vlorës dhe me pseudonimin ‘Pole Qorri’. Ky i fundit është identifikuar si autori i dyshuar i vrasjës përmes një analize ADN-je. Policia gjeti gjurmë djerse në njërën prej dorezave të derës së pasme dhe dorezën e dorëz që ndodhet në tavanin e makinës tip “Golf 7” të sekuestruar në zonën e TEG-ut, teksa makinën po e çonte për ta larë në lavazh i arrestuari Edison Haxhiu. Kjo makinë e sekuestruar tashmë nga Policia, është përdorur nga njësia e vrasjeve për t’u larguar nga vendi, ku grupi braktisi dhe dogji makinën “Range-Rover” të përdorur në ekzekutimin e Bejtjas.
Gjurma biologjike e marrë në makinë është krahasuar në bankën e të dhënave të ADN-së që ndodhet në policinë kriminale në Policinë e Shtetit, e cila rezultoi se i përkiste gjurmëve të personit të arrestuar në 2019, Flodian Plaku. Të dhënat e tij mbaheshin nga Policia pasi në vitin 2019, Plaku u vendos në pranga për t'u ekstraduar në Itali si person i përfshirë në trafikun e drogës. Që në 2019, Plakut i janë marrë gjurmët e ADN-së ndaj edhe është identifikuar nga dorëza që ka lënë në makinë. Që nga ajo kohë për të ishte lëshuar një "urdhër-arrest" ndërkombëtar, por mesa duket, i kërkuari nuk fshihej shumë larg, por në vendlindjen e tij.
Herën e fundit që u lokalizua, Plaku ndodhej në Spanjë, por mesa duket, ia ka dalë që të kthehet në Shqipëri.
Lidhja me Roan Brahimin
Flodian Plaku, vlonjati që u shpall sot në kërkim nga policia dhe prokuroria e Tiranës, si njëri nga tre ekzekutorët e Gentian Bejtjas në Larushk të Tiranës, rezulton të jetë miku i Roan Brahimit që në muajin Maj 2024, mbeti i vrarë në Athinë. Sipas burimeve të Policisë është provuar në dhjetëra raste se Roan Brahimi, ka prerë biletë avioni në një agjenci udhëtimi në Lezhë për Flodian Plakun dhe disa persona të tjerë të skeduar nga policia kriminale si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale.
Aktualisht për vrasjen e Bejtjas, të pandehur janë marrë: Ilir Beqaraj alias Maçellaraj alias Brahimi dhe Edison Haxhiu që janë arrestuar. Beqaraj dhe Plaku në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer vrasjen e Gentjan Bejtjas ndërsa Haxhiu ka siguruar kushtet.
Vrasja e Gentian Bejtjas
Gentjan Bejtja u ekzekutua pasditen e 15 marsit të vitit 2024 brenda oborrit të banesës së Larushk. Mbi Bejtjan janë qëlluar 50 plumba, 30 prej të cilëve kanë rezultuar fatal dhe e kanë prekur në fytyrë e trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Bejtja dyshohet se kishte dijeni edhe për shumë krime të tjera që kishin ndodhur në harkun kohor të 10 viteve të fundit, ku në mos ishte drejtpërdrejt i implikuar, të paktën kishte dijeni apo besohej se kishte tradhtuar, ata që deri dje u shërbente. Në të shkuarën ai është dyshuar si i përfshirë në disa atentate, si personi që ka nxjerrë në pritë viktimat, informator apo ndihmës i ekzekutorëve./ZËRI

