TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani dhe prokurori tjetër i SPAK, Adnan Xholi kanë dhënë një mesazh pas finalizimit të operacionit për goditjen e laboratorit të kokainës në vendin tonë. Në njoftimin zyrtar të aksionit, Altin Dumani e konsideron goditjen e këtij grupi si një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri
“Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete,"-thotë Dumani.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi se goditja e këtij grupi është një sinjal i fortë për të gjithë të tjerët që shkelin ligjin, duke i paralajmëruar se të gjithë do të ndëshkohen nga forca e ligjit.
“Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar,”-tha Xholi.
Mbi një hetim të nisur në vitin 2023, SPAK goditi një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine, që trafikohej në Shqipëri për t'u përpunuar dhe më pas shitej në vendet e Bashkimit Europian. Në pranga përfunduan 10 persona, mes tyre 3 shtetas nga Amerika Latine. Laboratorët e drogës ishin 2, një i vendosur në Qerekë të Krujës, e një tjetër në zonën e Kodrës së Diellit./ZËRI