TIRANË- Pasojat e Luftës në Lindjen e Mesme filluan te ndihen në Shqipëri, të reflektuara menjëherë në tregun e hidrokarbureve. Që prej të mëkurës, në disa pika karburantesh në Tiranë çmimi ka arritur në 179 lekë litri, nga 173-175 lekë/litri, që ishte një ditë më parë.
Por, kjo lëvizje e menjëhershme e karburanteve ka ngritur shqetësimin e qytetarëve se kompanitë e naftës në vend po abuzojnë. Përballë kësaj situate, mësohet se qeveria është vënë në lëvizje për çmimin e karburanteve. Burime bëjnë me dije se para dy ditësh, qeveria ka zhvilluar një takim me kompanitë e këtij sektori për situatën e krijuar.
Sipas burimeve, takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura mes disa ministrive dhe përfaqësuesve të sektorit, për të diskutuar mbi ndikimin që lufta mund të ketë edhe në tregun shqiptar.
Nga ana tjetër, Shoqata e Hidrokarbureve është shprehur për Report TV, se çmimi i naftës caktohet me vlerat e ditës së bursës. Sipas tyre importuesit e blejnë në bursë naftën, e sjellin dhe e mbyllin në magazinat e tyre doganore pa e zhdoganuar, dhe ditën që e hedhin në treg i caktojnë çmimin që ka bursa. Kjo praktikë shtrenjton automatikisht edhe çmimin e naftës me pakicë për konsumatorët.
Në fakt, ky është një 'skenar' i njohur, i ngjashëm me atë të vitit 2022, kur Rusia sulmoi Ukranën. Pasoja e luftës edhe para 4 vitesh u reflekuan në tabelat e karburanteve. Në atë kohë, qeveri ngriti Bordin e Transparencës që caktonte çmimet dhe fitimet e kompanive.
Megjithatë, deri tani, qeveria shqiptare nuk ka dalë me ndonjë vendim apo njoftim nëse do të marrë masa për tregun e karburanteve./ZËRI