TIRANË- Qytetarët kanë dalë në një protestë kundër urdhërit të ministrisë së Brendshme, për ndalimin e monopatinave. Protesta nisi në orën 11:00 përballë Ministrisë së Brendshme, teksa qytetarët po mbajnë fjalën e tyre. Ata kërkojnë kthimin e skuterave të sekuestruar, anulimin e vendimit për ndalimin e tyre si dhe dëmshpërblimin e bizneseve dhe qytetarëve për dëmin ekonomik.
Bizneset e vogla shprehin pakënaqësinë e tyre për vendimin e Ministrisë së Brendshme për ndalimin e monopatinave, duke e cilësuar atë si një pengesë të madhe për aktivitetin e përditshëm. Pronarë të bizneseve të vogla të cilët operojnë në zona urbane tregojnë se punonjësit dhe klientët e tyre duhet të përballen me vonesa dhe vështirësi transporti, duke u detyruar të shpenzojnë orë të tëra për lëvizje që më parë kryheshin me skuter. Përfaqësuesja e njërit prej bizneseve, Elsa Kallanxhiu theksoi se si biznesi i vogël, që paguan taksa dhe kontribuon në ekonominë lokale, preket direkt nga ndalimi i monopatinave që po shkakton jo vetëm shqetësim për qytetarët, por edhe humbje të drejtpërdrejta ekonomike për ta.
Disa ditë më parë, në një konferencë për shtyp, ministrja Koçiu përsëriti sërish se vendimi për ndalimin e monopatinave është i duhuri deri sa të rregullohet infrastruktura për qarkullimin e tyre. Sipas ministres, vlen të theskohet se ky vendim u mor për shkak të shqetësimeve të paraqitura nga qytetarët dhe për sigurinë e tyre. Lidhur me këtë, Koçiu solli në vëmendje raste të shumta të rreziqeve që kanë pësuar kalimtarët, pra jo vetëm përdoruesit e tyre. Vetëm për vitin 2025, ministrja thekoi se në spitalin e Traumës janë paraqitur 990 raste.
Më 12 tetor 2025, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit njoftuan ndalimin e përkohshëm të përdorimit të monopatinave elektrike, për shkak të rrezikut që mbartin deri në marrjen e masave të duhura./ZËRI