TIRANË-Një ditë më parë GJKKO shpalli dënimet për të pandehurit e dosjes së parë Metamorfoza, ku përfituan lirinë ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-kreu i operacionales Oltian Bistri. Lirimi i ish-shefit të Operacionales dhe ish-prokurorit do të kundërshtohet nga SPAK.
SPAK kishte kërkuar 9 vite burgim për Bistrin, por Gjykata e Shkallës së Parë e shpalli të pafajshëm për 2 akuzat kryesore, ndërsa e dënoi me vetëm 3 vite burg vetëm për zbulim të akteve sekrete, pasi dekonspironte operacionet e Policisë së Shtetit për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe pjesës tjetër të grupit kriminal të kapur në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Bistri u lirua nga akuza e korrupsionit dhe pastrimit të parave dhe u shpall i fajshëm vetëm për nxjerje të të dhënave sekrete dhe i hoqi edhe sekuestron ndaj 1 milion eurove pasuri. Dënimi i tij iu konvertua në dy vite prej gjykimit të shkurtuar dhe Bistri u la i lirë në sallë pasi e ka kryer dënimin në paraburgim.
Për ish-prokurorin Xhevahir Lita, SPAK kishtë kërkuar 6 vite burg. Lita u përball në Gjykatë për akuzën e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor. Vetë ish-prokurori ka pranuar para hetuesve se ka qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC. Sipas SPAK, Lita ka marrë para në këmbim të ndarjes së informacioneve ndaj personave të përfshirë në krim të organizuar, si edhe i ka orientuar si të japin deklarime në polici.
Konkretisht Xhevair Lita u dënua nga GJKKO me 5 vite burgim, me gjykim të shkurtuar zbret në 3.4 vite, shuarje të masës arrest ne burg, lirimi menjëhershëm për shkak se e ka shlyer dënimin.
Vendimi për dy të pandehurit do të shkojë në Apel pas ankimit të SPAK.
Ndërkohë Behar Bajri, dënua me 13 vite burg, dhe do të vuajë 8 vite e 8 muaj burg. Bajri u shpall fajtor për sigurim të kushteve për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Dorian Dulit dhe korrupsion ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Boksieri Astmer Bilali do të qëndrojë 5.8 vite qeli, nga 8 vite e gjysmë që u dha nga gjykata. Bilali akuzohet për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje në dëm të Ibrahim Licit, Genc Tafilit dhe Dorian Dulit./ZËRI
