
TIRANË-Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një takim me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit. Në fokus të diskutimeve ishte situata e zjarreve në vend, si edhe ngjarjet e fundit kriminale. Gjatë takimit Lamallari krah drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita u shpreh se do të ketë një njësi të re me fokus të posaçëm krimet mjedisore.
"Për Policinë, zjarri nuk përfundon kur fiket. Aty fillon pyetja se pse ndodhi, kush e shkaktoi dhe nëse pas tij fshihet një vepër penale. Detyra jonë është që çdo zjarr të dyshimtë të hetohet profesionalisht, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile, bashkëpunimi me komunitetin, shfrytëzimi i teknologjisë dhe ekspertizës më të mirë forenzike brenda dhe jashtë vendit, si dhe Prokurorinë, me qëllim që çdo provë dhe autor i dyshuar të ndiqet deri në fund. Vetëm zjarret këtë vit, dëmi i tyre është i pallogaritshëm, si në fondin pyjor. Sa vite, sa gjenerata i duhet atij fondit pyjor të rikuperohet ", deklaroi ministri Lamallari.
Ndërkohë Hita, kërkoi nga drejtuesit vendorë më shumë angazhim për sigurinë publike, sigurinë rrugore dhe sigurinë detare.