Aktualitet

“Mjeshtri i arratisjeve”, arrestohet Edison Pula në Luksemburg

30-vjeçari nga Kruja u arrestua gjatë bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me ato të Luksemburgut.

I.F
“Mjeshtri i arratisjeve”, arrestohet Edison Pula në Luksemburg
Edison Pula

TIRANË- I shumëkërkuari nga drejtësia shqiptare Edison Pula është arrestuar në Luksemburg. 30-vjeçari nga Kruja u arrestua gjatë bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me ato të Luksemburgut. Së bashku me të u arrestua edhe një shqiptar tjetër me inicialet A.S. Pula është dënuar me 14 vjet burg pasi akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Edison Pula është pjesë e bandës së Niklës që u shkatërrua në kuadër të operacionit “Shënjestra” në vitin 2016. Ai u arrestua bashkë me 7 persona të tjerë të cilët ishin pjesë të “bandës së tritolit” dhe tentuan të vrisnin ish-policin Gentian Bejtja, i cili ishte nën hetim për vrasjen e kryekomisarit Ditan Lamaj.

Ndërsa në momentin kur u arrestua, në vitin 2016, për atentatin e parë ndaj Bejtjas, Pula edhe pse me pranga në duar, sapo zbriti nga furgoni i Policisë, mundi të arratisej nga Komisariati i Fushë-Krujës. Ai kapërceu murin rrethues dhe u arratis. Dy policët që e arrestuan Denis Çela dhe Naim Stafuka, u akuzuan për shpërdorim detyre. Ata thanë se sapo e zbritën nga makina për ta futur në komisariat, i dyshuari përfitoi nga dera e hapur dhe u largua.

Kjo nuk do të ishte arratisja e tij e parë, pasi në vitin 2022 kur u arrestua në Itali, si autori i 50 grabitjeve, bëri të njëjtën gjë. Teksa priste të dilte në gjyq, i riu preu hekurat e qelisë në burgun e Trevizos dhe përdori çarçafë për të zbritur nga kati i tretë, por kësaj radhe jo i vetëm, por me dy shqiptarë të tjerë, të cilët u kapen nga autoritetet italiane brenda ditës, përveç tij.

Tani pritet që 30-vjeçari të ekstradohet në Shqipëri./ZËRI

Poll

MOS HUMB