TIRANË- Ish-deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Gjatë mbërritjes në SPAK, Kryemadhi nuk dha asnjë deklaratë, teksa shkëmbeu vetëm batuta me gazetarët.
"Ej tmerr vapë, jeni lodhur? Po ju s'jeni me leje?", tha Kryemadhi.
Ndëkrohë, në dalje nga Prokuroria e Posaçme, Kryemadhi komentoi deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili tha se në ambientet e SPAK po ndërtohet një mini maternitet. Duke folur për gazetarët, Kryemadhi tha me batuta se është e sigurt që me ‘barrë nuk ngel”.
“Unë ju garantoj se me barrë nuk ngel. Këtë e them. Sigurisht që njerëzit, për të gjetur mënyra dhe rrugë të ndryshme procedurale, mund të jenë thashetheme, por edhe të vërteta. Sa herë vjen në jetë një foshnje, është një gjë e mirë. Ndoshta, duke ditur që po shpopullojnë Shqipërinë, po ngrenë një mini-maternitet”, tha ajo.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI