Aktualitet

'Mos m’u afroni se do të vras veten'! Drejtori i Policisë Fier: RENEA në negociata me Refit Buzin

Edhe pse u arrit që 35-vjeçari të lironte ish-partneren e tij Rozalinda Plaka, Buzi nuk po dorëzohet.

F.I
'Mos m’u afroni se do të vras veten'! Drejtori i
Erion Ahmeti

FIER-Drejtori i Policisë Fier, Erion Ahmeti ka dhënë një deklaratë për mediat nga vendi ku ndodhet i fshehur 35-vjeçarit Refit Buzi, i cili mëngjesin e sotëm vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaka, plagosi ish-vjehrrën Belere Plaka dhe më pas mori me forcë ish-bashkëshorten e tij, duke u larguar nga vendngjarja.  

Edhe pse u arrit që 35-vjeçari të lironte ish-partneren e tij Rozalinda Plaka, Buzi nuk po dorëzohet. “Mos m’u afroni se do të vras veten”, kjo është thirrja që, sipas Policisë së Fierit, po përsërit 35-vjeçari Refit Buzi. Drejtori i Policisë Fier, Erion Ahmeti, tha se autori vijon të bëjë rezistencë dhe nuk ka pranuar të dorëzohet dhe ndau detaje të mëtejshme nga operacioni. 

Drejtuesi Erion Ahmeti: Sot, rreth orës 06:00, ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu, babanë e ish të dashurës së tij, plagosi nënën e saj, mori peng ish-të dashurën dhe u largua me automjet nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në vendngjarje, rrethuan zonën, organizuan ndjekjen e autorit, ngritën pika kontrolli dhe koordinuan veprimet me të gjitha strukturat policore të angazhuara. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të autorit dhe dinamikës së ngjarjes, u kërkua ndërhyrja e Forcës Speciale "RENEA".

Pas lokalizimit të autorit, shërbimet e Policisë e rrethuan atë dhe nisën negociatat, pasi ai kërcënonte se do të vriste veten dhe ish të dashurën, të cilën e mbante peng. Falë profesionalizmit, qetësisë dhe veprimeve të mirëkoordinuara të efektivëve të Policisë, fillimisht u bë i mundur lirimi i shtetases që mbahej peng në automjet, kundër vullnetit të saj. Ajo u transportua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Negociatat me autorin vijojnë, me qëllim që ai të dorëzohet pa shkaktuar pasoja të tjera. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe zbardhjen e motivit.

Poll

MOS HUMB