TIRANË- Moti i keq që ka përfshirë vendit që prej orëve të para të ditës së djeshme ka shkaktuar situata problematike. Përmbytje, vështirësi në qarkullim dhe mungesë e energjisë elektrike, janë këto disa prej problematikave me të cilat po përballen disa zona nga veriu në jug.
Reshjet intensive gjatë natës në Qarkun e Dibrës kanë krijuar probleme në rrugën nacionale Skuraj–Burrel, por më shumë probleme ka pasur në Shkopet, që më për më shumë se 3 orë rruga ka qenë e bllokuar pasi inertë dhe gurë janë shembur nga shpati i malit. Probleme raportohen edhe në rrugët rurale të Qarkut të Dibrës ku ka pasur rrëshkitje rruge, rrugë të bllokuara ka pasur dhe mungesë të energjisë elektrike në disa njësi të qarkut si Baz, Ulëz etj.
Qarku i Kukësut vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar, ndërsa rrugët nacionale vazhdojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve, inerteve dhe vërshimit të ujrave. Aktualisht të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme, ndërsa në tre njësi ka probleme me energjinë elektrike. Nga bashkitë Kukës, Tropojë nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente deri në këto momente. Ndërsa në bashkinë Has gjatë natës ka patur dëmtim të një ure që lidh fshatin Dobrunë me fshatin Bardhosh.
Në Qarkun e Elbasanit, reshjet e shiut kanë qenë me intensitet më të lartë gjatë natës. Disa akse rrugore janë bllokuar nga rënia e gurëve dhe inerteve në disa akse rrugore, megjithatë ndërhyrja e shpejtë ka bërë të mundur që të jenë të kalueshme. Po ashtu, strukturat njoftojnë se ka pasur ndërprerje me energji elektrike në zonat malore të njësive administrative Orenje Linik, Polis, Hotolisht të bashkisë Librazhd, Qukës në bashkinë Prrenjas, fidri i Banjës ne bashkinë Gramsh dhe Labinot Fushe në bashkinë Elbasan.
Në Qarkun e Korçës, situata nga moti i keq paraqitet e qetë. Reshjet kanë sjellë prezencë inertesh dhe grumbullime ujërash në disa segmente rrugore, por ARRSH njofton se të gjitha akset janë të hapura. Në disa zona ka pasur ndërprerje të energjisë, ndërsa grupet operative të OSHEE dhe strukturave vendore janë në terren dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike dhe garantimin e normalitetit në të gjitha zonat.
Qyteti i Gjirokastrës disa lagje kanë pasur probleme që prej mbrëmjes së djeshme. Situatë problematike paraqitet edhe në njësitë administrative të Lopësit, Kurveleshit në Tepelenë, Krahësit, Luftinjës e Qesaratit në Memaliaj, të Zagorisë, Picarit, Lazaratit, Dropullit e Lunxherisë në Gjirokaster, të cilët prej 12 orësh nuk kanë energji elektrike. Grupet e OSHEE ndodhen në terren për të riparuar defektet që kanë shkaktuar shkarkesat atmosferike në sistemin e shpërndarjes./ZËRI