Aktualitet

"M'u qëroni! Ju vramë"-Denoncimi: Stafi i emisionit “Xhadat” u dhunua në Bashkinë e Kurbinit! Asociacioni i Gazetarëve: Të nisë hetimi

Në denoncimin e bërë në rrjete sociale gazetari shprehet se në momentin e hyrjes së personave të paautorizuar, brenda bashkisë, Policia nuk ka ndërhyrë aspak të mbrojë median nga dhuna fizike e gjuhësore të ushtruar ndaj tyre

F.I
"M'u qëroni! Ju vramë"-Denoncimi: Stafi i emisionit
Pamjet nga vendi i ngjarjes

TIRANË-Një tjetër rast dhune fizike dhe verbale ndaj punonjësve të medias është raportuar së fundmi. Këtë herë incidenti ka ndodhur në ambjentet e Bashkisë Kurbin, e cila përfaqësohet nga kryetarja, Majlinda Cara me ekipin e emisionit “Xhadat” në MCN TV.

Ditën e djeshme më 17 qershor, gazetari Ersid Karaj njofton se ai dhe ekipi i emisionit “Xhadat” në MCN TV iu drejtuan Bashkisë së Kurbinit në lidhje me një shqetësim të ngritur nga banorët e zonës, për infrastrukturën në fshatra. Por në vend të një interviste me kryetaren e Bashkisë, gazetari raporton se u përballën me dhunë fizike e verbale, nga njerëz të paautorizuar, të cilët u futën në ambjentet e institucionit. Në denoncimin e bërë në rrjete sociale gazetari shprehet se në momentin e hyrjes së personave të paautorizuar, brenda bashkisë, Policia nuk ka ndërhyrë aspak të mbrojë median nga dhuna fizike e gjuhësore të ushtruar ndaj tyre, por së bashku me këta njerëz, kanë përzënë me forcë median nga institucioni. 

POSTIMI I GAZETARIT: Ditën e sotme iu drejtova së bashku me kolegët e grupit të xhirimit të emisionit Xhadat, Bashkisë së Kurbinit, e cila përfaqësohet nga kryetarja, Majlinda Cara. Në Malësinë e Kurbinit disa fshatra kishin shqetësime të mëdha në infrastrukturë dhe nga neglizhenca e Shërbimit Publik. Asnjë punonjës bashkie nuk interesohej as për mirëmbajtjen e rrugëve, po për asfalt e investime normale as që bëhej fjalë. Për këtë problem, në mënyrë institucionale iu drejtuam kësaj bashkie, ku u ndeshëm me një shtetrrethim absurd.

Njerëz pa asnjë gram edukate dhe shkolle, që nuk njihnin detyrën e tyre, po të medias jo e jo. Policia bashkiake sa mori vesh lajmin e pranisë tonë u bë gardh në katin e dytë ku ishte zyra e kryetares dhe nuk na lejonte të futeshim brenda. Më pas njerëz të paautorizuar, madje, thënë shqip, me "shapka shtëpie" u futën në bashki duke na kërcënuar e shtyrë me një gjuhë banale e rrugaçërie. Çfarë doni ju gazetarët këtu? Ç'punë keni? M'u qëroni! Ju vramë, ju therëm!

Policia bashkiake qëndronte aty. I kërkova të ndërhynin, kush janë këta zotërinj që vijnë na kërcënojnë ne si media? As na intereson fare, thoshte një punonjës i policisë bashkisë që e quante veten "Komandant",mirë e kanë ata, çfarë doni ju këtu?!
Pra punonjësit e policisë bashkiake u bënë gardh për median që kërkonte intervistë me kryetaren në shërbim të informimit dhe transparencës publike, dhe nuk u mor aspak me "gangsterat" e Laçit. Punonjës policie të bashkisë dhe të tjerë u bënë palë me gangsterat e rrugëve për të na përzënë neve me forcë. (Do t'i shikoni shumë shpejt pamjet e policisë bashkiake për turpin e tyre!) Znj. Majlinda Cara jeni niveli më absurd i këtij institucioni. Përfaqësoni një bashki kriminale dhe mbroheni nga rrugaçëria dhe njerëzit e fortë në terren. Për turpin tuaj dhe asaj që përfaqësoni kishit frikën e përballjes me ne dhe urdhërove policinë e krimit t'ju mbronte! Jepni dorëheqjen nga ajo karrige!

Në lidhje me rastin një reagim ka ardhur edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili shprehet se veprime të tilla përbëjnë një shkelje serioze të lirisë së shtypit dhe të drejtës së publikut për t’u informuar, veçanërisht kur ndodhin brenda një institucioni publik. Rrjeti i bën thirrje Prokurorisë së Rrethit Kurbin dhe Policisë së Shtetit që të nisin një hetim të shpejtë dhe të plotë mbi këtë incident.

REAGIMI:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me forcë incidentin e ndodhur në ambientet e Bashkisë së Kurbinit, ku gazetari Ersid Karaj dhe ekipi i emisionit “Xhadat” në televizionin MCN janë përballur me dhunë fizike, verbale dhe pengim të drejtpërdrejtë në ushtrimin e detyrës së tyre. Sipas dëshmisë publike të gazetarit, përfaqësuesit e medias janë kërcënuar, shtyrë, prekur pajisjet dhe përzënë me forcë nga ambientet e një institucioni publik, me mbështetjen ose mosveprimin skandaloz të policisë bashkiake dhe në prani të personave të paidentifikuar e të paautorizuar. Kjo sjellje është jo vetëm e papranueshme dhe e dënueshme, por përbën edhe një cënim flagrant të të drejtës kushtetuese për informim, lirisë së shtypit dhe transparencës institucionale. Është e papranueshme që bashkitë apo çdo institucion publik të shndërrohen në zona të mbyllura dhe të mbrohen nga "të fortë" apo zyrtarë të cilët shkelin ligjin me arrogancë. I kërkojmë menjëherë Prokurorisë së Rrethit Kurbin dhe Policisë së Shtetit të nisin hetimet për këtë rast dhe të identifikojnë përgjegjësit, qofshin zyrtarë publikë apo persona të jashtëligjshëm që kanë penguar punën e gazetarëve. Gjithashtu, kërkojmë reagimin e menjëhershëm të Kryetarës së Bashkisë Kurbin Majlinda Cara mbi këtë situatë skandaloze që ka vënë në rrezik ekipin e emsionit "Xhadat". Askush nuk është mbi ligjin. As pushteti vendor, as kryetarët, as "të fortët".

Pamjet nga incidenti nuk janë publikuar, ndërsa në lidhje me rastin ende nuk ka një reagim nga Bashkia e Kurbinit.

Poll

MOS HUMB