KRUJË-Gjatë mbrëmjes së djeshme, situata me zjarret në Krujë është përkeqësuar ndjeshëm. Për shkak të erës së fortë, flakët kanë rrezikuar dhe djegur banesa, duke detyruar disa qytetarë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Situata më e rënduar është paraqitur në zonat e Barabit dhe Llubanit të Krujës. Nën kërcënimin e flakëve është vënë edhe Spitali i Krujës, pasi zjarri është afruar deri në rreth 50 metra nga godina. Pacientët që po merrnin shërbim në këtë spital janë evakuuar drejt Tiranës.
Gjatë këtyre orëve, pesë lagje kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa raportohet se dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive. Autoritetet bëjnë me dije se helikopterët kanë nisur operacionin nga ajri për të ndihmuar në vënien nën kontroll të plotë të flakëve.
Për zjarrin është arrestuar Qemal Berhami, i cili, sipas policisë, kishte ndezur disa barishte pranë shtëpisë së tij. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke vënë në rrezik disa zona të Krujës.
Një banor i Krujës ka treguar për mediat momentet e frikshme, duke thënë se flakët e kanë rrethuar zonën brenda pak minutash. Sipas tij, banorët janë përpjekur ta mbanin zjarrin nën kontroll me autobotë uji, ndërsa kanë nxjerrë me shpejtësi fëmijët nga banesat.
“Ka qenë një tmerr i vërtetë. Për 5 minuta rrethoi të gjithë shtëpinë. Ne e kemi mbajtur situatën vetë nën kontroll me dy autobotë uji. Zjarrfikësit kanë ardhur sa për të shuar vatrat e vogla. Mami thoshte: ‘Nuk dal nga shtëpia, të digjem brenda’. Dolëm, nxorëm fëmijët. U mbush oborri me njerëz që e kemi mbajtur zjarrin. Zjarrfikësit e mbajtën nën kontroll deri nga ora 10. Më pas iu afrua shtëpisë, zjarri doli përpara. Morën magazinat e ujësjellësit. Ka qenë një kaos i paparë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë. E gjithë lagjja po evakuohej, u bllokua rruga e zjarrfikësve. E gjithë lagjja u tmerrua. Kishim frikë mos shpërthente një fasoneri”, tha banori.
View this post on Instagram
Ministria e Mbrojtjes njofton se në operacion morën pjesë mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Në terren dhe nga ajri u angazhuan 21 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, droni Bayraktar TB2, 2 dronë me kamera termike të AKMC-së dhe autoambulanca.
Njoftimi i plotë nga Ministria e Mbrojtjes:
Operacionet për izolimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit në Malin e Krujës kanë vijuar me intensitet, me angazhim të pandërprerë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura gjatë gjithë natës.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ndoqi nga afër situatën në terren dhe operacionin, si dhe koordinoi angazhimin e strukturave të Forcave të Armatosura, Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe strukturave të tjera të emergjencave civile.
Në operacion morën pjesë mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Në terren dhe nga ajri janë angazhuar:
21 mjete zjarrfikëse;
3 helikopterë;
droni Bayraktar TB2;
2 dronë me kamera termike të AKMC-së;
autoambulanca
Qendra Operacionale e Lëvizshme e AKMC-së, e dislokuar në zonë për koordinimin dhe monitorimin e operacionit.
Të gjitha strukturat vijojnë operacionin me angazhim maksimal dhe koordinim të plotë, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga toka dhe nga ajri.
Prioriteti i operacionit mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës, si dhe vënia nën kontroll e plotë e zjarrit në zonën e Krujës. /ZËRI