TIRANË- Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Renardo Nallbanin, i cili u arrestua dy ditë më parë në Palasë, pas më shumë se dy vitesh në kërkim nga SPAK.
Gjatë seancës, prokurori Dritan Prençi kërkoi vijimin e masës së arrestit të caktuar më herët për Nallbanin, i cili dyshohet për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup të strukturuar kriminal.
Në anën tjetër, mbrojtja i ofroi gjykatës garanci pasurore si alternativë për një masë më të butë sigurie, por kërkesa nuk u mor parasysh nga gjykata, e cila la në fuqin "arrestin me burg".
Nallbani u arrestua mbrëmjen e 8 gushtit, teksa ndodhej në një vilë në Palasë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK prej më shumë se dy vitesh.
Sipas Policisë, 50-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi në korrik 2024 GJKKO kishte caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për akuzat e pastrimit të produkteve të veprës penale dhe kryerjes së veprave penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua nga strukturat e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë./ZËRI
