TROPOJË- Skënder Haluci, jurist, avokat dhe ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës, është ndarë papritur nga jeta në moshën 64-vjeçare. Mësohet se Haluci ka humbur jetën mëngjesin e sotmë, teksa ndodhej me pushime së bashku me familjen në bjeshkët e Tropojës.
Sipas raportimeve, Haluci u ka thënë familjarëve se nuk ndihej mirë, ndërsa vetëm pak minuta më vonë, është gjetur pa shenja jete. Megjthatë, rrethanat e sakta të ngjarjes dhe shkaku i vdekjes pritet të përcaktohen nga ekspertiza mjekoligjore dhe autoritetet përkatëse.
Vdekja e papritur ka shkaktuar tronditje te familjarët dhe të afërmit e ish-gjyqtarit, të cilët kanë ndarë lajmin në rrjetet sociale.
Kush ishte Skënder Haluci
Skënder Haluci është një emër i njohur i sistemit të drejtësisë shqiptare. Ai ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka shërbyer edhe si kryetar i Gjykatës së Vlorës. Haluci përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1995, ndërsa në vitin 2008 ndoqi edhe studime pasuniversitare pranë këtij universiteti.
Karriera e tij si gjyqtar nisi më 23 gusht 1996 dhe për vite me radhë ushtroi funksionin në gjykatat e Tiranës dhe të Vlorës. Në Gjykatën e Vlorës, ai mori detyra drejtuese, ku në vitin 2013 u komandua në detyrën e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Më 17 tetor 2014 u emërua zyrtarisht kryetar i kësaj gjykate, ku qëndroi deri më 5 mars 2020.
Por, në mars 2020, karriera e tij në gjyqësor u ndërpre në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar, të njohur si vettingu. Në mars të 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij nga detyra.
Skënder Haluci njihet gjithashtu si atentatori i jetës së Ramiz Alisë në Has në vitin 1983. Ai u arrestua 6 muaj më vonë dhe u dënua me vdekje, pushkatim. Megjithatë, Presidiumi i Kuvendit Popullor, pas një muaji nga dënimi i gjykatëës, e ka kthyer dënimin nga “me vdekje” në “heqje lirie me 25 vjet burg”. /ZËRI