TIRANË- Një 64-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se ka kanosur një grup xhirimi të televizionit informativ Ora News, gjatë realizimit të një kronike për problematikat e ujit në fshatin Zbarqë të Tiranës.
Sipas njoftimit të Policisë, shtetasi Sinan Hamdi Idrizi, po kryente punime pa leje te burimi i ujit, ku grupi i xhirimit do të realizonte kronikën. 64-vjeçari u arrestua pas kallëzimit të grupit të xhirimit, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën armë gjahu dhe municion pa leje.
Policia bën me dije se nga hetimet rezulton se Idrizi i cili ishte punonjës i një 70-vjeçari dhe po kryente punime me kërkesë të këtij të fundit në një pikë ku buronte uji. Ndërkohë, ka nisur procedimi penal edhe për 70-vjeçarin.
Njoftimi:
Kanosi gjatë ushtrimit të detyrës, një grup xhirimi, kapet në një terren të thepisur, pak minuta pas kallëzimit të 3 shtetasve, dhe vihet në pranga 64-vjeçari.
I arrestuari kryente punime pa leje te burimi i ujit, ku grupi i xhirimit do të realizonte kronikën.
Pardje, Policia e Tiranës inicioi procedim penal për shtetasin që kishte punësuar 64-vjeçarin, për shpërdorim të tokës, ndërtim të paligjshëm dhe shkatërrim të rrjetit të ujitjes.
Pas administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të 3 shtetasve, me detyra përkatëse gazetar, operator dhe drejtues automjeti, në televizionin Ora News, se gjatë realizimit të një kronike mbi problematikat me një burim uji (pus) në fshatin Zbarqë, Tiranë, ishin kanosur për jetën, nga një shtetas që kryente punime te ky burim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan autorin e dyshuar të rastit, shtetasin S. I., 64 vjeç.
64-vjeçari u kap pak minuta pas kallëzimit të grupit të xhirimit, në zonën malore të fshatit Zbarqë.
Gjatë kontrollit të banesës së 64-vjeçarit, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë gjahu pa leje, municion dhe një armë e ftohtë( shufër metalike).
Më datë 11.08.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin për llogari të të cilit punonte 64-vjeçari, R. P., 70 vjeç, banues në Tiranë, për veprat “Shpërdorimi i tokës”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes”, pasi dyshohet se ka hapur një burim uji (pus), pa leje, si dhe se ka kryer gërmime në mënyrë të kundërligjshme, për hapjen e një rruge.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës garanton gazetarët dhe përfaqësuesit e medias, se është maksimalisht e angazhuar për të bashkëpunuar me ta, me qëllim trajtimin e menjëhershëm dhe prioritar, të çdo indicieje për cenim të së drejtës së tyre kushtetuese për të ushtruar detyrën në shërbim të interesit publik.