GREQI- 55-vjeçari shqiptar i identifikuar si Eduart Mullaj mbeti i plagosur gjatë një atentati ndaj tij, mëngjesin e kësaj të hëne, ndërsa policia po heton disa pista.
Ngjarja ëshë regjistruar rreth orës 05:00 të mëngjesit, në zonën e Patissias, në kryqëzimin e rrugëve Vroutou dhe Themou Annino. Sipas mediave greke, dy persona që lëviznin me motoçikletë kanë hapur zjarr në momentin kur 55-vjeçari Eduart Mullaj nga Delvina, po dilte nga banesa dhe janë larguar menjëherë nga vendngjarja. Plumbat e kanë kapur shqiptarin në këmbë, i cili menjëherë pas ngjarjes është transportuar në spital, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
55-vjeçari nga Delvina është shprehur se 2 personat që e qëlluan me armë, po tentonin të vidhnin motorrin e tij dhe për këtë arsye kanë hapur zjarr. Por, kjo deklaratë e shqiptarit nuk e ka bindur policinë grekem e cila po heton edhe një ngjarje të 1 muaji më parë. Bëhet fjalë për një ngjajrje, në të njëjtin vend, ku u regjistruan të shtëna, por pa të dëmtuar.
Ndërkohë, një banor i zonës ka treguar për mediat se kishte dëgjuar një grup të rinjsh që flisnin me zë të lartë dhe po debatonin.
“Dëgjuam një grup prej katër ose pesë të rinjsh. Grindeshin, debatonin dhe flisnin me zë të lartë. Më pas dëgjuam një të shtënë. Rreth dhjetë sekonda më vonë u dëgjua e dyta dhe pas rreth 30 sekondash një tjetër”, ka rrëfyer banori.
Megjithatë, dëshmitari ka theksuar se nuk mund të konfirmohet nëse të rinjtë kishin lidhje me sulmin, pasi mund të kenë qenë thjesht duke kaluar rastësisht në atë zonë. Sipas dëshmisë, policinë e ka njoftuar vajza e 55-vjeçarit.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Patissias, në kryqëzimin e rrugëve Vroutou dhe Themou Annino, pak para orës 05:00 të mëngjesit të kësaj të hëne. Në zonë janë gjetur 3 gëzhoja dhe një plumb, të cilat pritet të ndihmojnë hetuesit në dokumentimin e atentatit. Hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve po kryhen nga Drejtoria e Krimit të Organizuar e Policisë së Atikës./ZËRI