
DURRËS- Ermir Dedja u ekzekutua me armë zjarri gjatë natës në Durrës. I riu ishte duke lëvizur në këmbë pranë Qendrës Shëndetësore të lagjes 18, kur disa persona të maskuar iu afruan dhe qëlluan ndaj tij me armë zjarrit. Pasi qëlluan, autorët u larguan nga vendngjarja me një automjet. I riu u transportua për në spital, por nuk u mbijetoi dot plagëve të marra dhe ndërroi jetë teksa po merrte ndihmën e parë nga bluzat e bardha.
"Më datë 20.05.2025, në orën 00:50, në lagjen nr. 18 Durrës, është qëlluar me armë zjarri shtetasi E. D., 29 vjeç, i cili ka humbur jetën në spital. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe po vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve,"- informoi Policia.
29-vjeçari, Ermir Deda nuk është një emër i panjohur për Policinë e Shtetit pasi në vitin 2015 u arrestua sepse i shiti drogë një grupi personash, të cilët do e kalonin nga Morina drejt Kosovës. Në 2017 Ermir Dedja ra përsëri në pranga si bashkëpunëtor i Ismail Nuredinit në një plagosje në Shijak. Kështu që e shkuara e tij është pista e cila po hetohet nga grupi hetimor për të gjetur autorët e ngjarjes./ZËRI