TIRANË-Personi që shihni në foto është 34-vjeçari Eugert Sino, i cili u arrestuar pak më parë në kryeqytet pasi iu zbulua dhe sekuestrua një arsenal armësh. Autoritetet ndaluan mjetin me të cilin lëvizte i riu dhe gjatë kontrollit u sekuestruan armët e trafikuara. Hetuesit kanë zbuluar, përveç automjetit që u kap në zonën e "Myslym Shyrit", edhe bazën kryesore të grupit, ku mbaheshin armët, në po të njëjtën zonë në afërsi.
Konkretisht u sekuestruan: 12 pistoleta të llojeve “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”; 6 armë automatike; 5 armë me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper); 1 silenciator; 17 krehra për armë zjarri të ndryshme; pjesë të ndryshme armësh zjarri; 15 000 fishekë; 17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia; 12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë; pajisje elektronike gjurmuese (GPS); pajisje për bllokimin e valëve; pajisje për numërimin e kartëmonedhave; 3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Armët e kapura janë relativisht të reja, dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova. Dyshimet janë se armët ishin planifikuar të përdoreshin në ngjarje kriminale nga grupi me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel. Dy perona të tjerë janë shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë të Sinos, por identiteti i tyre ende nuk bëhet i ditur./ZËRI
