
TIRANË-Gjykata e Posaçme ka pezulluar me një vit gjyqin për Mikael Qosjan, i njohur edhe me mbiemrat Kamami dhe Stefo. Shqiptarja.com shkruan se është vlerësuar pezullimi i afateve të gjykimit, deri në marrjen në dijeni të tij për procesin, pasi ende nuk është bërë ekzekutimi i urdhrit të gjykatës për arrestimin e tij.
Qosja i cili dyshohet se strehohet në Spanjë, është i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së trefishtë më 29 Dhjetor 2018 në Bradashesh të Elbasanit, ku u ekzekutuan Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk, Erdal Durunay.
Qosja u hetua dhe u shpall në kërkim fillimisht nga Prokuroria e Elbasanit në vitin 2021, hetime të cilat më pas treguan se ngjarja ishte kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, si pjesë e një grupi kriminal. Krimi dyshohet se u krye për llogari nga organizata "Çopja". Për këtë arsye, dosja u dërgua pranë Prokurorisë së Posaçme, e cila ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën që ai të gjykohet për vrasje kundër dy ose më shumë personash, vjedhje me dhunë, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Gjykata do të marrë në shqyrtim kërkesën në 13 mars.
Si ndodhi ngjarja
Më 28 dhjetor të vitit 2018, Elbasani u trondit nga një vrasje e trefishtë. Shënjestër ishin pjesëtarët e familjes Dylgjeri. Familja Dylgjeri ktheheshin nga një festë familjare në qytetin e Peqinit. Në rrethrrotullimin e Bradasheshit mjetet e tyre të cilët ishin tre në rresht, njëri pas tjetrit ku brenda ndodheshin dhe gra dhe fëmijë u përfshinë nga breshëri armësh. Si pasojë mbetën të vdekur në vend Endrit Alibej, 34 vjeç, Arben Dylgjeri, 56 vjeç, të dy xhaxha dhe nip si edhe Erdal Durunay, 51 vjeç, shtetas turk. Ata u qëlluan me breshëri kallashnikovi brenda makinës tip “Range Rover”, ndërsa ishin kthyer në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit me familjarët e tyre. Për ekzekutimin në fjalë, policia dyshon se ndodhi për shkak të prishjes së pazareve të drogës./ZËRI