
SHKODËR-Policia e Shkodrës ka arrestuar në orët e vona të së shtunës Arlind Kajoshin, i shpallur në kërkim prej rreth një viti, për rrahjen e Vladimir Bruçit së bashku me Samuel Troshani dhe Izmir Sakicën. Kajoshi është arrestuar në Shtoj, fshat në dalje të Shkodrës në një banesë të braktisur. 31-vjeçari akuzohet për plagosje, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
Njoftimi i policisë:
I shpallur në kërkim për disa vepra penale, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Në zbatim të planit të masave për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasin:
– A. K., 31 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur më kërkim për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”,
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është përfshirë në konfliktin e ndodhur për vendparkimin e automjeteve, më datë 03.06.2024, në rrugën “Pogej”, gjatë të cilit u godit fizikisht dhe me sende të forta, shtetasi V. B.
Vijon puna për kapjen e shtetasit S. H., 27 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Dhuna ndaj Vladimir Bruçit
Ngjarja u shënua mesditën e 3 qershorit 2024 në rrugën “Pogej”, në lagjen Rus, ku Vladimir Bruçi u dhunua nga pesë persona me sende të forta. Shkak për dhunimin e Bruçit u bë një sherr që ai ka pasur për autorët për një vendparkimi. 62-vjeçari asakohe u dërgua në spital me dëmtime të shumta në kokë, të shkaktuara më sende të forta. Në lidhje me ngjarjen u arrestua Edmond Sakicaj, 47 vjeç dhe u shpallën në kërkim shtetasit Izmir Sakicaj, 23 vjeç, Samet Halluni, 27 vjeç, Arlind Kajoshi, 31 vjeç, Samuel Troshani, 24 vjeç dhe Alban Bruçi 27 vjeç (djali i Vladimir Bruçit). Ky i fundit më 7 shtator tentoi të eliminonte fizikisht vëllanë e Arlindit, kampionin e boksit Arjon Kajoshin.
Në lidhje me ngjarjen Samuel Troshani dhe Izmir Sakica u vetëdorëzuan në Policinë e Shkodrës. Të dy u lanë në 'masën arrest me burg'. Në kërkim vijon ende Samet Halluni.