TIRANË-Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” me qëllim ekstradimin për shtetasen turke Julide Yazici, 32 vjeç. Mësuesja me origjinë nga Turqia u ndalua pak ditë më parë në aeroportin e Rinasit, pasi rezultonte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankaraja.
Ajo u arrestuar për qëllime ekstradimin në Turqi, teksa po udhëtonte nga Franca për në Shqipëri. Para shtatë vitesh e dyshuara ka qentë studente dhe ka marrë pjesë në protestat kundër qeverisë së presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Për këtë ajo kishte marrë azil politik në Francë.
E dyshuara, tha para gjykatës se “Është e persekutuar politike”, pasi sipas saj “ka protestuar kundër Erdogan dhe nëse kthehet, i rrezikohet jeta”.
Yazici është dënuar nga Gjykata turke me 4 vite burgim për veprat penale “dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrje në organizatë terroriste”. 32-vjeçares i kanë mbetur pa kryer edhe 3 vite, 5 muaj e 22 ditë burg. Çështja pritet të vijojë me shqyrtimin e kërkesës për masën e sigurisë dhe procedurat ligjore që lidhen me kërkesën për ekstradim.