SHKODËR-Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e dyfishtë në Dukagjin, ku Lekë e Prel Gjoni, babë e bir u ekzekutuan, ndërsa Lazer Bashi mbeti i plagosur rëndë. Raportohen se babaë e bir ishin duke udhëtuar me makinë në momentin e atentatit.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, në rrugën e fshatit Xhan, teksa babë e bir po ktheheshin nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin drejt Shkodrës. Drejt tyre është qëlluar me dy armë të ndryshme, një kallashnikov dhe një MP5. Në vendngjarje janë gjetur më shumë se 50 gëzhoja.
Familjarët kanë deklaruar para hetuesve se Prelë dhe Lekë Gjoni nuk njiheshin si persona me konflikte dhe se nuk kanë dijeni për ndonjë kërcënim të mëparshëm ndaj tyre. Sipas tyre, një ditë para ngjarjes, babë e bir kishin shkuar në banesën e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh, dhe po ktheheshin normalisht drejt banesës së tyre në zonën e Grudës, në Shkodër.
View this post on Instagram
Një nga pistat ku po heton policia lidhet me divorcin e 57-vjeçarit, rreth tre muaj më parë, nga bashkëshortja e tij, me të cilën kishte katër fëmijë. Megjithatë, deri tani nuk ka prova konkrete që ta lidhin atentatin me divorcin dhe kjo mbetet vetëm një pistë hetimore.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu aktivitetin e Lekë Gjonit, i cili punonte me një kamion dhe ditët e fundit kishte transportuar materiale ndërtimi për një banesë në fshatin Gjuraj të Dukagjinit. Ai kishte edhe një eskavator, me të cilin punonte së bashku me një tjetër banor të zonës./ZËRI
