BRITANI- Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar do t’i bashkohen protestës së 12 shtatorit në Tiranë kundër qeverisë së Edi Ramës, të njoftuar në ditën e 99-të të protestës nga qytetarët nga sheshi përballë Kryeministrisë.
Nga Anglia, protestuesit shqiptarë kanë njoftuar nisjen e një autokolone me automjete drejt Shqipërisë, e cila do të përshkojë disa vende europiane për të mbërritur në kryeqytet.
Njoftimi u bë gjatë një proteste të zhvilluar një ditë më parë nga komuniteti shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Protestuesit ngritën akuza ndaj qeverisë shqiptare për korrupsion dhe për politikat që, sipas tyre, kanë nxitur largimin e të rinjve nga vendi.
Ndërkohë, sot shënohet dita e 100-të e protestës së njohur si “Revolucioni Flamingo”, që prej nisjes së tubimeve përballë Kryeministrisë në Tiranë. Protesta, e cila nisi më 31 maj, pas incidenteve të regjistruara në Zvërnec, u shndërrua në protestë kombëtare dhe në një reagim më të gjerë kundër qeverisë./ZËRI