
TIRANË- Tre të rinj të moshës 25 vjeç janë arrestuar për trafik droge nga Tajlanda drejt Shqipërisë nëpërmjet shërbimit postar. Konkretisht si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i 3 personave banues në Tiranë: Igli Pallosha, 25 vjeç, Ralf Zoga, 25 vjeç, Eris Krymbi, 25 vjeç.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata dyshohen se kanë trafikuar lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC. Gjatë operacionit efektivët kanë sekuestruar 520 gramë lëndë narkotike kanabis me vlerë 11 000 euro, shuma parash, aparate celulare, sende me vlerë dhe prova të tjera materiale.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Destinacioni 3”.
Goditet një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike kanabis nga Tajlanda drejt Shqipërisë, nëpërmjet shërbimit postar.
Sekuestrohet sasia prej 520 gramësh me përqindje të lartë THC, me vlerë 11 000 euro, shuma parash, aparate celulare, sende me vlerë dhe prova të tjera materiale.
Vihen në pranga 3 shtetas.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si rezultat i veprimeve të kryera me metoda proaktive, kanë finalizuar një tjetër operacion në kuadër të goditjes së trafikimit të lëndëve narkotike.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
• I. P., 25 vjeç,
• R. Z., 25 vjeç,
• E. K., 25 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë trafikuar lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC nga Tajlanda në Shqipëri, me anë të shërbimit postar. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale./ZËRI