TIRANË- “Revoltohu motër”, ishte slogani i marshimit të organizuar sot nga Kolektivi Feminist në Shqipëri, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Gra, vajza, djem, burra, qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile u mblodhën në një marshim që nisi në orën 11:30 pranë Universitetit të Arteve dhe përfundoi para Kryeministrisë. Gjatë fjalimeve të mbajtura nga vajza dhe gra aktiviste, theksi u vendos te dhuna sistemore ndaj grave dhe vajzave, fenomeni i femicidit, si dhe nevoja për më shumë të drejta dhe barazi sociale e ekonomike mes burrave dhe grave.
Pjesëmarrësit mbanin pankarta me mesazhe të ndryshme, mes të cilave: “Jemi gra të forta, nuk dorëzohemi kurrë”, “Revoltohu motër”, “Drejtësi për çdo motër të vrarë”, si dhe “Revoltohu kundër dhunës, kundër frikës”.
View this post on Instagram
Me thirrjet “Marshojmë, s’festojmë. Njëra-tjetrën ne e mbrojmë”, Kolektivi Feminist në Prishtinë marshoi sot, më 8 Mars, duke kërkuar më shumë të drejta, barazi dhe drejtësi për gratë. Protesta nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe vazhdoi drejt Këshillit Prokurorial të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor, për të përfunduar para ndërtesës së Qeverisë në sheshin “Skënderbeu”. Marshi u organizua me moton “Revoltohemi për jetë me dinjitet”.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si: “Trupi im, e drejta ime”, “Përdhunues mos u fsheh, burgu po të pret” dhe “Sot marshojmë, çdo ditë luftojmë”.
Organizatorët theksuan se gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida si dhuna në familje, ngacmimet seksuale, pabarazitë në tregun e punës dhe në pronësi. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 80 për qind e grave nuk janë pjesë e tregut të punës.
8 Marsi nisi si një lëvizje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa sot shënohet në shumë vende të botës me protesta dhe aktivitete që fokusohen në të drejtat e grave. Zanafilla e kësaj dite daton në vitin 1908, kur rreth 15 mijë gra marshuan në qytetin e Nju Jorkut duke kërkuar orë më të shkurtra pune, paga më të mira dhe të drejtën e votës. Një vit më vonë, Partia Socialiste e Amerikës shpalli Ditën e Parë Kombëtare të Gruas. Ideja për ta bërë këtë ditë ndërkombëtare erdhi nga Clara Zetkin, e cila e propozoi në vitin 1910 gjatë një Konference Ndërkombëtare të Grave Punëtore në Kopenhagë. Propozimi u mbështet nga 100 gra nga 17 vende dhe u miratua njëzëri. Dita Ndërkombëtare e Gruas u shënua për herë të parë në vitin 1911 në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër. Sot shënohet në mbarë botën si një ditë që i kushtohet të drejtave dhe barazisë së grave./ZËRI