TIRANË-Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Braho u pyet në lidhje me ngarkesën e punës në Prokurorinë e Posaçme, nëse stafi i prokurorëve ishte i mjaftueshëm si dhe për fashën e ligjit për çështjet e korrupsionit, në lidhje me shifrën 50 mijë lekë.
Në përgjigje të pyetjeve, Braho tha se, pavarësisht ngarkesës së lartë të punës, numri aktual prej 20 prokurorësh vlerësohet i mjaftueshëm për funksionimin e strukturës. Braho tha se këtë vit do të rekrutohen 40 hetues të tjerë, ndërsa nënvizoi se duhet rishikuar kufiri i veprës penale të korrupsionit. Sipas tij pragu aktual prej 50 mijë lekësh është shumë i ulët dhe sjell një numër të madh çështjesh në SPAK, ndaj duhet rritur.
Anëtar i KLP, Vatë Staka: Ngarkesa juaj e punës është mjaft e madhe dhe këtë nuk e diskuton njeri. Keni paraqitur problematikë për ngarkesën. Por çfarë mendon sot për këtë ngarkesë? A duhen bërë ndryshime në procedurë? Që duhet të liroheni ju më shumë nga kjo detyrë dhe prokurorët tuaj?
Klodian Braho: Ngarkesa është e madhe dhe mendoj se do të vijojë të rritet. Por numri i prokurorëve, që është 20, mendoj se është i mjaftueshëm. Duke marrë parasysh dhe shifrat në vend. Duhet të kemi preokupim drejt çështjeve që kemi në dorë dhe të lehtësohet puna e prokurorëve. Do të fillojmë rekrutimin e 40 hetuesve të tjerë në BKH që do të ndikojë në uljen e ngarkesës. Ka përfunduar dhe procesi i rekrutimit të 10 oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ky do të kontribuojë në përshpejtimin e hetimeve. Nuk shoh ndonjë diçka që është gabim në këto momente për t’u ulur ngarkesa e punës. Përveç atyre diskutimeve që kemi bërë më parë, për çështje penale që lidhen me korrupsionin pasiv dhe aktiv. Ajo fasha 50 mijë lekësh do duhet parë, por është proces që duhet parë. Duhet të jetë më e lartë, kjo e rrit ngarkesën e çështjeve e njëjta gjë edhe për veprat penale që lidhet me prokurimet, është fashë e vogël në vlerësimin tonë.