TIRANË- Ka nisur mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve për çështjen e pagave në sistemin gjyqësor. Mësohet se mbedhja do të jetë e hapur për mediat vetëm gjatë fjalimit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Në nisje të mbledhjes, Sadushi e cilësoi situatën të jashtëzakonshme, duke theksuar se çështja nuk lidhet thjesht me një problem financiar, por prek edhe raportet kushtetuese mes pushteteve.
Sipas Sadushit, për herë të parë, pas një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese që lidhet me pagat e magjistratëve, janë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore.
Sadushi tha se gjyqësori nuk po kërkon privilegje, por zbatimin e garancive që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim, Sadushi kërkoi zhbllokim të menjëhershëm të pagave duke e cilësuar këtë jo si çështje negociate, por si detyrim institucional dhe shtetëror.
Fjala e Sadushit:
Kjo Mbledhje e Përgjithshme është thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse e jashtëzakonshme është edhe situata që po përjeton pushteti gjyqësor. Për herë të parë, pas një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese që lidhet drejtpërdrejt me pagën e magjistratëve, janë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore. Ky nuk është më një problem i administrimit financiar; është një pengesë konkrete për funksionimin normal të gjykatave dhe një çështje që prek drejtpërdrejt rendin kushtetues.
Për këtë arsye, reagimi institucional nuk mund të mbetej reagim i një gjykate, i një këshilli apo i disa drejtuesve. Kur pasoja prek të gjithë pushtetin gjyqësor, përgjegjësia për të folur dhe për të mbajtur qëndrim është e përbashkët.
Ajo që kemi përpara nuk është thjesht një mosmarrëveshje financiare. Është një çështje që prek raportet kushtetuese ndërmjet pushteteve, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kushtet në të cilat gjyqësori ushtron funksionin e tij.
Qëllimi ynë sot nuk është të prodhojmë një reagim emocional dhe as të ushqejmë një përplasje institucionale. Përgjegjësia jonë është më e madhe. Të flasim qartë, bashkërisht dhe institucionalisht për atë që ka ndodhur, për pasojat që ka sjellë dhe për rrugët kushtetuese e ligjore me të cilat duhet të mbrohen funksionimi i gjykatave, pavarësia e gjyqësorit dhe dinjiteti i njerëzve që i shërbejnë çdo ditë drejtësisë. Kjo, sepse çështja nuk kufizohet te masa e pagës. Ajo vë në provë nëse një vendim përfundimtar kushtetues zbatohet edhe kur zbatimi i tij krijon vështirësi institucionale apo financiare.
Kjo situatë po paraqitet shpesh si një “përplasje ndërmjet gjyqësorit dhe ekzekutivit”. Ky përshkrim e zhvendos vëmendjen nga thelbi. Mund të ketë debat për mënyrën e zbatimit, por jo për detyrimin për të zbatuar një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që kemi përpara nuk është garë force ndërmjet pushteteve, por provë e forcës së Kushtetutës mbi secilin prej tyre.
Dua ta them që në fillim. Gjyqësori nuk është këtu për të kërkuar privilegje dhe as për t’i kërkuar kujtdo një nder. Gjyqtarët e Republikës nuk kanë vendosur as masën e pagës së tyre, as rritjen e saj dhe as formulën, mbi të cilën ajo përllogaritet.
Statusin tonë e ka përcaktuar Kushtetuta. Pagën dhe garancitë e saj i ka përcaktuar ligji. Për kushtetutshmërinë e këtij rregullimi është shprehur Gjykata Kushtetuese. Kur kërkojmë respektimin e këtyre garancive, nuk kërkojmë një privilegj apo një përfitim të ri. Kërkojmë që shteti të përmbushë detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese.
Këtu lind një pyetje e thjeshtë, por e pashmangshme: çfarë norme duhet të zbatojë sot administrata e shtetit? A mund t’i kërkohet një institucioni të Republikës që, pas datës 31 korrik, të vazhdojë të zbatojë pikërisht formulën, që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar si antikushtetuese? Një normë e shfuqizuar nuk mund të rikthehet në fuqi përmes mosveprimit dhe as të mbahet në jetë përmes një praktike administrative.
Dhe nëse formula e vjetër nuk mund të zbatohet më, atëherë pyetja që shtrohet është po aq e drejtpërdrejtë: cila është paga që autoritetet ekzekutive u njohin gjyqtarëve të Republikës nga data 1 gusht 2026 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri dhe që administrata shtetërore ka detyrimin të përmbush?
Mosveprimi i Kuvendit brenda afatit nuk mund të ketë si pasojë që gjyqtari të mbetet pa një pagë të përcaktuar. Deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, garancia kushtetuese e pagës mbetet plotësisht e zbatueshme dhe neni 138 i Kushtetutës vijon të prodhojë të gjitha efektet e tij. Të pranohej e kundërta, do të thoshte t’i njihej mosveprimit të ligjvënësit një fuqi që nuk mund ta ketë: të pezullonte një garanci kushtetuese dhe të pengonte zbatimin e një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në një shtet të së drejtës, paga e një funksionari nuk është akt bujarie i atij, që administron fondet publike. Buxheti i shtetit është instrumenti financiar i Republikës dhe duhet t’i shërbejë funksionimit të të gjitha pushteteve të saj. Atë që ligji e njeh si detyrim, buxheti duhet ta bëjë të realizueshme.
E drejta e gjyqtarit për pagë nuk lind nga buxheti. Ajo buron nga Kushtetuta dhe ligji. Mungesa e planifikimit mund të kërkojë rishpërndarje fondesh, shtesë financimi, apo rishikim buxheti, por nuk mund ta shndërrojë një detyrim kushtetues në detyrim fakultativ. Në një shtet të së drejtës nuk është Kushtetuta ajo që përshtatet me buxhetin, por është buxheti që duhet të përshtatet për të bërë të mundur zbatimin e Kushtetutës. Procedurat buxhetore duhet ta realizojnë këtë detyrim, jo ta neutralizojnë atë.
Prandaj, paga e gjyqtarit nuk mund të trajtohet si një e ardhur e zakonshme buxhetore. Ajo është pjesë e statusit të tij kushtetues dhe përbën një garanci konkrete të pavarësisë në ushtrimin e funksionit. Paga nuk është një shpërblim, që jepet sipas vlerësimit të ekzekutivit dhe as një instrument që mund të përdoret për të ndikuar mbi gjyqësorin, apo për të shprehur qëndrimin ndaj vendimmarrjes së tij. Kjo garanci nuk mbron vetëm gjyqtarin si individ. Ajo mbron, para së gjithash, qytetarin, i cili duhet të ketë sigurinë se çështja e tij do të gjykohet nga një gjyqtar i pavarur nga çdo pushtet tjetër.
Kjo situatë ka edhe një dimension të drejtpërdrejtë njerëzor. Administrata gjyqësore është pa paga. Sekretarë gjyqësorë, kancelarë, nëpunës dhe punonjës të gjykatave, njerëzit që çdo mëngjes hapin dyert e gjykatave dhe bëjnë të mundur që sistemi të funksionojë, janë lënë pa të ardhurën me të cilën mbajnë familjet e tyre. Ata nuk kanë marrë asnjë vendim për këtë çështje dhe nuk janë palë në asnjë mosmarrëveshje ndërinstitucionale. Pasojat nuk mund të shkarkohen mbi ta.
Administrata gjyqësore nuk mund të mbajë pasojat e një mosmarrëveshjeje që nuk e ka krijuar. Nëse shteti ka një mosmarrëveshje juridike, ai ka institucione dhe mjete juridike për ta zgjidhur, por nuk mund ta zgjidhë mbi ekonominë familjare të njerëzve, që mbajnë gjykatat në funksion.
Dua t’u drejtohem sot posaçërisht atyre. Ju nuk jeni pjesa e harruar e sistemit të drejtësisë. Jeni pjesë e domosdoshme e tij. E dimë se çfarë do të thotë për një familje të mbetet pa pagë: detyrime dhe kredi që nuk presin, shpenzime të përditshme dhe nevoja të fëmijëve. Kjo është edhe më e ndjeshme në fillim të vitit të ri shkollor. Për ju, paga nuk është formulë juridike apo zë buxhetor. Ajo është siguria e përditshme e familjes.
Ju nuk mund dhe nuk duhet të mbani mbi familjet tuaja koston e një situate, që nuk e keni krijuar. Respekti për pavarësinë e gjyqësorit fillon edhe nga respekti për njerëzit, që e bëjnë atë të funksionojë. Prandaj, zhbllokimi i menjëhershëm i pagave të administratës gjyqësore nuk është çështje negociate, por është detyrim njerëzor, institucional dhe shtetëror.