TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngjarjen e rëndë të regjistruar sot në Lozhan të Maliqit, ku mbeti i vrarë efektivi i forcave ‘Shqiponjave’ Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij.
Në reagimin e tij, Rama ka shpallur ‘Dëshmor i Atdheut’ efektivin e vrarë në krye të detyrës, ndërsa i uroi shërim të shpejtë efektivit të plagosur.
Ai theksoi gjithashtu se autori i ngjarjes duhet të marrë ndëshkim maksimal dhe vlerësoi punën e Policisë së Shtetit, duke deklaruar se ajo nuk do të ndalet në misionin e saj për mbrojtjen e qytetarëve.
Postimi i Ramës
Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli!
Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër
Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj.