Aktualitet

Nis procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut në GJKKO, dëshmon Xhuliano Xhaferraj: U tha se ai më vrau vëllain, por babai i tij...

Sipas burimeve, Haxhiu ka njoftuar gjykatën përmes një deklarate me shkrim se nuk dëshiron të marrë pjesë personalisht në proces, por ka zgjedhur të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës, Detar Hysi dhe Dritan Jahaj.

zh.ll

Nis procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut në GJKKO, dëshmon

TIRANË- Këtë të martë në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj Laert Haxhiut, i cili ka njoftuar se nuk dëshiron të jetë i pranishëm në proces.

Sipas burimeve, Haxhiu ka njoftuar gjykatën përmes një deklarate me shkrim se nuk dëshiron të marrë pjesë personalisht në proces, por ka zgjedhur të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës, Detar Hysi dhe Dritan Jahaj.

Procesi ndodhet në fazën e administrimit të provave dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Në seancën e sotme janë paraqitur 12 persona të thirrur për të dëshmuar në kuadër të çështjes penale ndaj Haxhiut, mes të cilëve edhe Xhuljano Xhaferraj. Ky i fundit dëshmon për vrasjen e vëllait të tij, Fridman Xhaferraj, i gjetur i vdekur më 13 qershor 2021 në një rezervuar në Korçë, sipas versionit zyrtar të prokurorisë.

Në dëshminë e tij në GJKKO, Xhaferraj tha se nuk ka dijeni të drejtpërdrejtë se kush e vrau vëllain e tij, por tregoi se në Lushnjë qarkullonin fjalë se urdhri për vrasjen e Fridman Xhaferrajt ishte dhënë nga Laert Haxhiu. Ai shtoi se babai i Laertit, Qamili, i kishte thënë personalisht se djali i tij nuk kishte lidhje me ngjarjen.

Gjykata: Në këtë proces keni edhe cilësinë e viktimës. Sot jeni thirrur si dëshmitar ndaj Laert Haxhiut.

Gjykata: A keni qenë më parë i dënuar?

Dëshmitari: Po, për vjedhje.

Gjykata: Po tani?

Dëshmitari: Po, jam në Burgun e Fierit për vjedhje.

Prokurori i SPAK: Zoti Xhuliano, faleminderit që keni ardhur. Ju jeni këtu për të dëshmuar për vrasjen e vëllait tuaj, Fridman Xhaferraj.

Xhuliano Xhaferraj: Isha në burg, më çuan në komisariat dhe më pyetën: “A ke folur, a di gjë?” E verifikuan. Pas disa orësh e gjetën që ishte im vëlla.

Prokurori i SPAK: Të nxorën nga burgu?

Dëshmitari: Atë ditë u lirova me urdhër lirimi, sepse e mbarova dënimin. Nuk kisha marrë vesh gjë. Kur vajta në shtëpi, pashë policët që po bënin kontroll.

Prokurori: Kur u lirove, ku shkove?

Dëshmitari: Te shtëpia e vjehrrit.

Prokurori: A e kishin marrë vesh prindërit?

Dëshmitari: Nuk i kam prindërit.

Prokurori: Po vëllai Fridman ku jetonte?

Dëshmitari: Ai kishte ikur. Më kishte thënë se ishte jashtë. Kisha rreth 20 ditë që më kishte thënë në burg se do të ikte jashtë shtetit, në Itali. Unë isha ndarë dhe isha me fëmijët e me nusen, ndaj ai nuk më tregonte shumë. Ne ishim tre fëmijë: unë, Fridmani dhe Aleksandri. Atij i kishin prerë djemtë biletën dhe në Elbasan ishin ndarë. Ishte bashkë me Lul Spahinë dhe Kristi Bixherin. Këta emra m’i ka thënë vëllai tjetër. Kur Fridmani ishte gjallë, ishte me këta. Vëllai i vogël e la Fridmanin me Lulin dhe Kristin në Elbasan dhe ishte larguar. Fridmani do të ikte në Greqi.

Dëshmitari: Kaq di. Nuk di gjë tjetër, sepse kam qenë në burg.

Prokurori: Kur t’i tha këto vëllai, t’i tha në burg apo te shtëpia e vjehrrit?

Dëshmitari: M’i tha te shtëpia e vjehrrit.

Prokurori: Kush mendon se e vrau vëllain tënd?

Dëshmitari: Nuk e di. Qamili, babai i Laertit, më ka thënë nga afër se ata nuk kishin fare dorë, sepse i kemi tokat afër. Më foli në rrugë dhe më tha: “S’ka dorë djali im.” Unë iu përgjigja: “Nuk di gjë.”

Dëshmitari: Unë e pyeta se çfarë kishte ndodhur, sepse mora vesh që ishte përfolur se kishte qenë me Laertin. Kështu flitej në Lushnjë. Unë nuk di gjë fare.

Dëshmitari: Fjalët në Lushnjë ishin hapur se urdhrin për ta vrarë e kishte dhënë Laerti. Unë kam parë punët e mia.

Laert Haxhiu është dënuar me burg përjetë për masakrën e Lushnjes. “Masakra e Lushnjes” ka ndodhur në shtator të vitit 2017. Shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por të vdekur mbetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Laert Haxhiu akuzohet nga autoritetet shqiptare për 16 vepra të ndryshme penale, që përfshijnë vrasje, atentate, plagosje, grabitje e shumë të tjera, të kryera në formën e grupit kriminal. Dosja u zbërthye pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Marjus Tafani. Laert Haxhiu u arrestua në Selanik të Greqisë dhe më pas, pas një procesi të gjatë gjyqësor në vendin fqinjë u ekstradua në Shqipëri./ZËRI 

Poll

MOS HUMB