
TIRANË-Procesi i rinumërimit të kutive të votimit do të nisë zyrtarisht nesër, më 17 qershor, duke përfshirë qarqet kryesore të vendit: Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan. Konkretisht procesi i rinumërimit do të zhvillohet në stadiumin “Fahrie Hoti” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetet sociale të KQZ-së, duke garantuar akses publik në çdo veprim që kryhet gjatë procesit.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, konfirmoi përmes një deklarate publike se ky është një nga operacionet më të rëndësishme zgjedhore pas përfundimit të procesit të votimit, i cili do të zhvillohet me standarde të larta profesionalizmi dhe transparence të plotë.
Në total, do të hapen 2,323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kuti të votimit nga diaspora. Rinumërimi do të realizohet nga 24 grupe numërimi, të përbëra nga 63 punonjës të administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), prej të cilëve 48 janë numërues dhe 15 zëvendësues.
Çdo tavolinë rinumërimi (24 në total) do të ketë praninë e vëzhguesve të autorizuar nga tre subjektet kryesore ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Partia Mundësia. Për të garantuar transparencën, të gjitha veprimet do të transmetohen drejtpërdrejt online nga Pallati i Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ku po zhvillohet procesi.
Tiranë: Rinumërimi përfshin të gjitha kutitë e votimit brenda vendit, me 18 KZAZ dhe 1,282 qendra votimi.
Fier: Rinumërimi përfshin të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët, me 9 KZAZ dhe 587 qendra votimi.
Durrës: Do të rinumërohen 360 kuti, duke përfshirë 111 kuti të KZAZ nr. 21 dhe 22, 126 kuti sipas kërkesës së PD-ASHM dhe 60 sipas PLL-së, si dhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit.
Elbasan: Rinumërim i 94 kutive të KZAZ nr. 45 dhe 52, përfshirë fletët e votimit dhe materialet zgjedhore.
Çfarë mund të ndryshojë?
Në Fier, Koalicioni “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt e humbi mandatin për rreth 500 vota. Nëse rinumërimi gjen kaq vota në favor të partisë së re, atëherë Azmer Duleviç bëhet deputet, dhe nga Partia Socialiste humbet një mandat dhe ajo që ngel jashtë është Zegjine Çaushi. Që Nisma Mundësia të marrë mandatin në qarkun e Fierit i duhet të rikuperojë 519 vota dhe t’i marrë Partisë Socialiste një deputet. Çdo ndryshim tjetër është i pamundur. Që PS të humbasë edhe një mandat tjetër, në favor të PD, kjo e fundit duhet të marrë rreth 6300 vota më shumë, ose PS te ketë rreth 19,000 vota më pak.
Në qarkun Tiranë, i vetmi mandat që mund të vihet në dyshim, është deputeti i dytë i partisë “Mundësia”, i cili nëse e humbet i kalon PD-së, dhe bëhet me 14 deputetë. Që kjo të ndodhë, duhet që nga rinumërimi i votave, të dalin 1200 vota në favor të PD-së ose 117 vota më pak për partinë e Agron Shehajt. Diferenca më e ngushtë e kandidatëve demokratë në Tiranë, është ajo e Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit. Deputetja aktuale ka një avantazh prej 2400 votash.
Në Durrës, Aulon Kalaja po zhvillon një betejë kundër ish prokurorit Arjan Ndoja. Ky i fundit rezulton fitues me gati 1000 vota diferencë, e cila zor se mund të përmbyset në kushtet kur PD nuk ka kërkuar rinumërim të plotë të qarkut, por një pjesë të tij.
Sa i takon qarkut të Elbasanit. Kutitë e hapura në Peqin dhe Gramsh nuk pritet të ndikojnë në rezultat, por vetëm t’i ofrojnë PD-së prova për atë që e quan masakër zgjedhore.
Kosto
Buxheti i përcaktuar për rinumërimin kap vlerën e rreth 21 milionë lekëve, të ndarë në mënyrë të qartë për:
Sistemin e regjistrimit dhe transmetimit online të rezultateve: 7,858,600 lekë
Infrastrukturën logjistike: 8,480,000 lekë
Zarfe dhe materiale ndihmëse: 4,775,450 lekë./ZËRI