
ZVICËR- Një shqiptar është vendosur në pranga...shtirja e tij si një njeri familjar nuk e ndihmoi që t'i shpëtonte drejtësisë. Sipas mediave të huaja, shqiptari në të dyzetat e hershme duket në pamje të parë si një njeri mesatar. Ai jeton në një apartament me tre dhoma në një bllok në periferi të Lenzburgut. Kishte hapur një biznes me tre persona në një komunitet rural në Aargau, por në fakt ishte një "zot droge".
“Nëse jeni në biznesin e drogës, është e këshillueshme që të mos i tregoni paratë tuaja,”- thotë prokurori, duke zbuluar se i akuzuari kishte shitur 52 kilogramë kokainë dhe 8 kilogramë heroinë. Ata fituan më shumë se 2.5 milionë franga zvicerane, ose 2.6 milionë euro. Por arsyeja se përse shqiptari ishte ulur në bankën e të akuzuarve nuk ishte për faj të tij. Ai nuk ra fare në sy, nuk mbante para apo drogë në banesën e tij.
“Vështirë se ka bërë ndonjë gabim”, tha prokurori. Ai u zbulua nga "SkyECC".
Kompania kanadeze shiti telefona celularë të modifikuar me komunikim të mbrojtur nga prekja duke përdorur softuerin e enkriptuar të bisedave Sky ECC. Përdorimi vjetor kushtonte rreth 2200 franga zvicerane. Shumë nga rreth 170,000 klientët e telefonave celularë kripto në mbarë botën ishin kriminelë profesionistë: vrasës me pagesë, tregtarë droge. Në vitin 2016, policia belge zbuloi për herë të parë celularë të tillë në portin e Antwerpen.
Megjithatë, hetuesit në Aargau iu afruan autoriteteve franceze dhe morën bisedat e deshifruara. Në biseda zbuluan anëtarë të ndryshëm të bandës që dërgonin foto të parave të gatshme dhe blloqe kokaine. Një përdorues dha udhëzime të sakta; sa gram drogë do të dorëzohej, sa do të kushtonte dorëzimi dhe detaje të tjera. Mbetej vetëm të zbulonin se kush fshihej pas kodit «TP46MT»?
Në një mesazh të koduar ai shkroi se ishte duke bërë ski dhe të njëjtën foto kishte publikuar edhe në Facebook. Kështu u vendos në pranga.
Shqiptari i paidentifikuar me emër mohon të ketë lidhje me akuzat. Gjatë marrjes në pyetje në polici, i akuzuari përmendi emrin e një burri që fshihej mbas kodit të "SkyECC". Bëhet fjalë për një vrasës që u ekzekutua në Tiranë në vitin 2020, pasi ishin kryer këto biseda.
Por hetuesit mendojnë ndryshe.
“Nuk ka dyshim se ky është i akuzuari,”- tha prokurori.
E megjithatë mbetet një pyetje e madhe: a janë të përdorshme bisedat? Avokatët kritikojnë qasjen e ekipeve hetimore për vlerësimin e bisedave të Sky ECC si të dyshimta dhe madje të paligjshme: grupet e bisedave u monitoruan për 20 muaj pa ditur se të dhënat e kujt po vëzhgonin./ZËRI