Aktualitet

"Nuk ka para!"/ Një muaj pas vjedhjes së 700 mijë €, pensonistët e Durrësit nuk marrin dot pensionin

Sipas informacioneve, ata çdo ditë dëgjojnë të njëjtën përgjigje nga sporteli: “nuk ka para.”

l.k
"Nuk ka para!"/ Një muaj pas vjedhjes së 700 mijë
Pamje nga Posta në Durrës

DURRËS- Mes vapës dhe gushtit përvëlues, pensionistët e Durrësit paraqiten çdo ditë për të marrë pensionin e tyre. Por prej ditësh në zyrat e Postës Shqiptare nuk ka para. Sipas informacioneve, ata çdo ditë dëgjojnë të njëjtën përgjigje nga sporteli: “nuk ka para.” Mungesa e fondeve është bërë shkak i vonesave dhe endjeve të përditshme të pensionistëve. Shpërndarja e lekëve për pensionistët në këtë bashki varet nga fondet që sjell filiali i Postës së Durrësit dhe shpesh edhe nga arkëtimet e tjera.

A lidhet mungesa e lekëve në degët e Postës me vjedhjen e fondit rreth 700 mijë euro?

Muajin që lamë pas, u denoncua mungesa e një fondi me vlerë rreth 700 mijë euro, i parashikuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Postës në Shijak dhe Krujë, të cilat nuk ishin arkëtuar. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026.

Me 18 korrik Gjykata e Durrësit caktoi masat e sigurisë për tre zyrtaret e Postës Shqiptare të Durrësit, të akuzuara për shpërdorim detyre dhe vjedhje të parave të pensioneve. Pas shqyrtimit të çështjes, gjykata vendosi masën “Arrest me burg” për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, “Arrest në shtëpi” për shefen e financës Valbona Duni si dhe “Arrest në shtëpi” për arkëtaren Paola Danaj. Prokuroria dyshon se shuma është përvetësuar në bashkëpunim nga tre të arrestuarat.

Ish drejtoresha e filialit u shkarkua nga detyra më 14 korrik pasi u kallëzua në Prokurori nga vetë institucioni, pas konstatimit të disa parregullsive gjatë një kontrolli të brendshëm.

Ky skandal duket se është shkaku kryesor pse sot pensionistët nuk arrijnë të tërheqin lekët e tyre, teksa kjo situatë e krijuar ka sjellë vështirësi për përballimin e jetesë për të moshuarit. Si të gjithë të tjerët edhe ata paguajnë fatura në fund të muajit ose u duhet të marrin ilaçet, frutat, ushqimet dhe shërbimet e tjera./ZËRI

Poll

MOS HUMB