TIRANË- Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për anulimin e koncesionit të Aeroportit të Vlorës, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale lidhur me respektimin e afateve për ndërtimin e tij.
Punimet në Aeroportin e Vlorës duhej të përfundonin në shkurt 2026, ndërsa pas tejkalimit të këtij afati, kontrata parashikonte edhe 90 ditë shtesë për përfundimin e tyre. Por, edhe pas këtij afati, punimet nuk përfunduan. Shkak u bënë mosmarrëveshjet mes dy kompanive koncesionare, "MABCO" të drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli, dhe "2A Group" të drejtuar nga Valon Ademi.
Sakaq, më 3 qershor, në një deklaratë për mediat, ministri Enea Karakaçi vendosi një ultimatum për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy kompanive, duke caktuar një afat 30-ditor.
Megjithatë, pavarësisht ultimatumit të Karakaçit, mosmarrëveshjet mes dy kompanive filluan të thelloheshin. Në këto kushte, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për anulimin e kontratës koncesionare.
Gjithashtu, mësohet se janë vendosur edhe gjoba ndaj kompanive koncesionare, për shkak të vonesave në përfundimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës.
Ndërkohë, vijimi i administrimit të Aeroportit të Vlorës do të përcaktohet pas përfundimit të procedurave për zgjidhjen e kontratës koncesionare.
Përplasjet mes dy kompanive koncesionare janë shoqëruar edhe me incidente në kantier. Në disa raste, përfaqësuesit dhe punonjësit e dy kompanive janë përplasur mes tyre, duke krijuar situata tensioni dhe duke penguar vijimin normal të punimeve.

Por si nisi përplasja për këtë aeroport?
Plani për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës, nisi në vitin 2021! Shqipëria filloi një projekt të ri madhështor: ndërtimin e një aeroporti të ri në Vlorë, në një sipërfaqe prej 297 hektarësh dhe me një vlerë të parashikuar investimi me104 milionë euro. Ky projekt do ti kushtojë taksapaguesve shqiptarë 138 milionë euro, përmes një marrëveshje koncesioni, ose afërsisht 40 për qind më shumë se sa kostoja e ndërtimit, në rast se koncesioni dështon apo nuk realizon fitime.
Tenderi u fitua nga tre kompani. Kontrata u nënshkrua më 20 prill 2021 nga kompanitë Mabco Constructions, me pronar Behgjet Pacollin, që zotëronte 58% të aksioneve; kompania turke YDA Group, e cila zotëronte 40% të aksioneve; dhe kompania 2A Shpk nga Kosova, me pronar Valon Ademin, i cili kishte 2% të aksioneve.
Por, po në mars të atij viti, shoqëria turke u tërhoq nga projekti. Si pasojë, kompania e Behgjet Pacollit mori në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të “Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”, pasi bleu për 4,200 euro aksionet që zotëroheshin nga kompania turke.
Më 1 shtator të këtij viti, Behgjet Pacolli vendosi të shkarkojë administratorin e “Aeroportit të Vlorës”, Valon Lluka. Nga ky moment vijuan një sërë ngjarjesh të njëpasnjëshme! Aksioneri i minorancës në këtë koncesion, Valon Ademi, akuzoi publikisht Behgjet Pacollin për mashtrim.
Thelbi i konfliktit mes dy ortakëve ka qenë ndarja e aksioneve: Ademi zyrtarisht ka vetëm 2% të tyre, por pretendon 47%. Biznesmeni Ademi, në kallëzimin e depozituar në Prokurori në shtator 2025, ka pretenduar se përmes kompanisë së tij “2A Group” ka blerë 47% të aksioneve të aeroportit. /ZËRI
