TIRANË- Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, foli sot për aeroportin e Vlorës. Në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Karakaçi deklaroi se ministria që ai drejton iu ka lënë 30 ditë afat kompanive kontraktore që po ndërtojnë aeroportin e Vlorës që të zgjidhnin mosmarrëveshjen tregtare mes tyre.
Sa i përket avancimit të punimeve, sipas Karakaçit, aeroporti ka ecur mirë dhe do merren masat që të përfundojë sa më shpejt.
“Aeroporti i Vlorës ka një mosmarrëveshje tregtare mes dy ortakëve. Ata janë ofruar vetë për të ndërtuar projektin. Ka një mosmarrëveshje tregtare që ka dhënë një imazh negativ sa i përket aeroportit.
Ministria ka qenë e kujdesshme, por i kam dërguar një shkresë së fundmi ku i kam kërkuar që mosmarrëveshjet tregtare të zgjidhen.
Kemi lënë një afat 30-ditor që të zgjidhet mosmarrëveshja për aeroportin e Vlorës. Jemi ofruar që të negociojmë edhe ne si qeveri.
Aeroporti ka ecur mirë sa i përket avancimit të punimeve. Do të marrim masat që të përfundojë sa më shpejt sipas afateve që vetë kompanitë kanë vendosur. Çdo ditë vonesë ka penalitete dhe kemi lëshuar faturat e para të penaliteteve”, tha Karakaçi.
Pwrplasjet e fundit nw kantier filluan pasi punwtorwt e kompanisw "2A" tw Valon Ademit, kanw bllokuar hyrjen e punëtorëve të kompanisë së Behgjet Pacolli. Ndërsa përplasja mes ortakëve, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademit ka nisur që në vjeshtën e vitit 2025 për administrimin e VIA-s, dhe ka qenë prej kohësh në qendër të debatit publik dhe mediatik. Pacolli zotëronte 98% të aksioneve, ndërsa Ademi 2%, por ky i fundit pretendonte se kishte marrëveshje dhe investime që e çonin në kuotën 49%./ZËRI