TIRANË- Prokuroria e Posaçme, përmes njoftimit zyrtar për goditjen e grupit të Inez Hajrullës, ka zbardhur edhe rolin që kishte efektivi Rezart Kuçi, shef seksioni i policisë shkencore në Kukës, i cili u arrestua ditën e sotme në kuadër të operacioni të SPAK.
Kuçi dyshohet se ka përdorur detyrën e tij për të ndihmuar grupin kriminal. Në kohën kur janë kryer veprat penale, SPAK thotë se Kuçi ka qenë shef për hetimin e krimeve në Vlorë. Sipas SPAK, ai ka siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike dhe ka nxjerrë informacione konfidenciale lidhur me kontrollet policore.
SPAK bën me dije se efektivi ka ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin, si dhe ka përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për të ndihmuar persona të përfshirë në aktivitet kriminal. Hetimet tregojnë gjithashtu se ai përdorte komunikime të koduara në aplikacionin SkyECC për të mbajtur kontakte me anëtarët e grupit.
"Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi R.K., me detyrë oficer policie, dyshohet se ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal, duke:
-siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike;
-nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore;
-ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin;
-përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal;
-përdorur komunikim të koduar në aplikacionin SKYECC.
-Ky operacion është realizuar falë një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar mes SPAK, Europol, Eurojust, DEA dhe agjencive ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Europian. Prokuroria e Posaçme falenderon hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për mbështetjen gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale si dhe për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.", thuhet në njoftimin e SPAK.
Po ashtu, sipas SPAK, dyshohet se efektivi ka qenë i përfshirë në një nga episodet kryesore të trafikut ndërkombëtar të drogës. Bëhet fjalë për rastin e 400 kilogramë kokaine të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020, ku dyshohet se janë porositur dhe menaxhuar nga ai në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit.
“Në një tjetër rast, 400 kilogramë kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020 janë sekuestruar nga autoritetet gjermane. Sipas hetimeve, porositës dhe posedues të kësaj sasie dyshohen të jenë shtetasit R.K., oficer policie (i cili më parë ka mbajtur detyra në DVP Vlorë, Fier, Tiranë dhe Kukës), dhe A.M., në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal, të cilët kishin investuar edhe në mjete lundruese për transport të drogës.”, njofton SPAK.
SPAK zbarkoi mëngjesin e të shtunës, 7 mars, në Vlorë, pas zbardhjes së dy vrasjeve dhe episodeve të trafikut të drogës. Pas hetimeve të thella, SPAK goditi grupin e strukturuar kriminal të Inez Hajrullës me bazë në Vlorë, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe kryerjen e krimeve të rënda. Në këtë grup ishin të përfshirë edhe efektivë policie, Rezat Kuçi edhe një ish-polic në Zvicër, Hams Demushi. Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 8 urdhër arreste, mes të cilëve për Flodian Plakun, Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn, por të dy këta të fundit i kanë shpëtuar operacionit të SPAK. Një prej vrasjeve të zbardhura është eliminimi i Gentian Qarrit 5 vite më parë, i njohur ndryshe si Gëçja, si dhe vrasja e Bledar Birçajt në Vlorë në 2021./ZËRI