VLORË- Detaje të tjera janë zbardhur nga operacioni i SPAK këtë të shtunë në Vlorë, ku u godit një nga grupet kryesore në qytet. Bëhet fjalë për grupin e Inez Hajrullës, i cili njihet si "I forti i Vlorës", aktualisht në kërkim. Po ashtu, edhe krahu i tij i djathtë Ervis Matodashaj. Të dy ata arritën t'i shpëtonin edhe operacionit të sotëm në zonën e njohur si "7 Pallatet" te Kompleksi Oslo.
Burime bëjnë me dije se ky operacion u mundësua falë provave të gjetura nga zbërthimet në rrjetin SkyEcc. Falë komunikimeve por edhe kryqëzimin me prova të tjera Prokuroria e Posaçme e lidh këtë grup kriminal me dy vrasje por edhe episode të trafikut të lëndëve narkotike. Sipas burimeve, përveç vrasjes së Gentian Qarrit, ngjarje kjo e ndodhur 5 vite më parë, Hajrulla dhe Matodashaj rezultojnë të përfshirë edhe në ekzekutimin e Bledar Birçajt, i vrarë në Vlorë në 10 maj 2021.
Dyshja në kërkim, dyshohet se kanë pasur role të rëndësishme në organizimit e atentatit ndaj Birçajt. Sipas të dhënave paraprake të siguruara nga hetimi, ata akuzohen për krijim të kushteve për të kryer atentatin ndaj Birçajt.
Ndërkohë, detaje të tjera janë zbardhur nga aktiviteti kriminal i grupit të Inez Hajrullës lidhur me trafikun e drogës. Përmes komunikmes SkyEcc janë dokumentuar episode të trafikut të drogës. Sipas burimeve, anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, vepronin thuajse në gjithë Europën. Droga nisej nga Ekuadori dhe kishte destinacion vendet europiane kryesisht Holandën dhe Belgjikën.
Nga hetimet rezulton se droga është kapur në faza të ndryshme. Konkretisht, janë kapur në Roterdam 700 kg kokainë, 500 kg Maqedoni, e disa qindra kilogram të tjerë në Greqi e Hamburg të Gjermanisë apo Belgjikë. Për të mundësuar këtë, grupit i kanë ardhur në ndihmë edhe punonjësit e policisë. Këta të fundit ishin të përfshirë jo vetëm në aktivitetin e narkotikëve por edhe në ndihmë të grupit kriminal, duke dhënë informacione kundër rivalëve të tyre që kërkoheshin të eliminoheshin.
8 urdhër arrestet e lëshuara nga SPAK:
Inez Hajrulla – arrest me burg – akuzë për vrasjen e Gentian Qarrit
Ervis Matodashaj – arrest me burg – akuzë për vrasjen e Gentian Qarrit
Flodian Plaku, i njohur si Pole Qorri – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Hamëz Demushi – ish-punonjës policie – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Argest Xheza – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Arben Memishaj – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Mendu Duka – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Rezart Kuci – akuzë për shpërdorim detyre, trafik droge dhe grup kriminal