Aktualitet

"O çuna a dini ku blihen buqeta?"/ Vrasja e Martin Canit, si lindi sherri brenda “Fan Nolit”, zbadhen dëshmitë

Oficerja e sigurisë tregoi se përplasjen mes Canit dhe autorit, Mario Përlleshaj, e kishte mësuar nga një mësuese që e infomroi se djemtë po shaheshin për mamatë.

k.m.
"O çuna a dini ku blihen buqeta?"/ Vrasja e Martin Canit, si
Luis Meçe, Mario Përlleshaj dhe Martin Cani

TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar nga dosja hetimore për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. Më shumë detaje lidhur me dinamikën e ngjarjes ka zbuluar dëshmia që ka dhënë oficerja e sigurisë, e identifikuar në dosje me inicialet J. K., e cila e ushtronte këtë detyrë në shkollën “Fan Noli’ prej një viti e gjysmë. Në dokumentin e siguruar nga "TopChannel" shkruhet se pasi ka dëshmuar përplasjen e parë mes të miturve kishte informuar drejtoreshën e shkollës “Fan Noli”, mësuesen kujdestare dhe psikologen e shkollës. Ajo tregoi se përplasjen mes Canit dhe autorit, Mario Përlleshaj, e kishte mësuar nga një mësuese që e infomroi se djemtë po shaheshin për mamatë.

“Shkova në tualet dhe vura re që nxënësit nuk ishin atje. Më pas thirra Martin Canin që më tha se kur kishte hyrë në këto ambiente kishte sharë kot dhe se Mario Përlleshaj e kishte marrë personale me të. Thirra Marion dhe më tha se nuk kishte asnjë problem me të, të dy ishin të qetë me njëri-tjetrin,”- shprehet oficerja për grupin e hetimit. Por mbas orës së 6 të mësimit ajo mori dijeni për krimin e ndodhur.

Por veç kësaj dëshmie, Prokuroria e Tiranës ka edhe një video ku duket Mario Përlleshaj që largohet nga vendi i krimit me një objekt në dorë. Në pamjet të parë, objekti është i ngjashëm me një thikë.

Vetë i mituri, që prej muajsh tashmë është në institucionin e vuajtjes së dënimit për të mitur në Kavajë ka thënë se ishte goditur ai nga i ndjeri dhe jo e anasjellta. Duke theksuar edhe njëherë mbrojtjen e tij se sulmi kishte ardhur si vetëmbrojtje.

“Nuk kam patur konflikt më parë. Atë ditë dola nga shkolla isha së bashku me shokun tim. Në atë moment më thirri Martini i cili ishte me dy apo më shumë persona që nuk i njihja. U ndava nga shoku im dhe u afrova tek Martini që më tha të shkoja me të, të sqarohesha, pa më thënë çfarë. Ecëm përpara dhe shokët e tij na ndiqnin pas. Pasi ndaluam më goditën,”- deklaron Mario, i cili këmbëngul se nuk mban mend të ketë përdorur thikë.

Por shoku i Martinit, Luisi, që mbeti i plagosur gjithashtu, përshkruhet nga dëshmitarët e tjerë të mitur se ishte personi i parë që qëlloi me grusht në gjoks Marion. Ndërsa Luisi tregon se gjatë momenteve të sqarimit mes fëmijëve teksa po ecnin dëgjoi pyetjen: O çuna a dini ndonjë vend ku blihen buqeta me lule?

Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. Nga ana tjetër, Mario Përlleshaj vazhdon të mbahet në burgun e të miturve. Ai akuzohet nga Prokuroria për "vrasje në rrethana cilësuese ndaj një të mituri”, një krim për të cilin ligji parashikon dënimin jo më pak se 20 vjet ose burgim të përjetshëm./ZËRI

Poll

MOS HUMB