TIRANË-Gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatën Administrative për padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj prokurorit Ols Dado, pati momente tensioni mes avokatit Plarent Ndreca dhe gjyqtarit Hazbi Balliu për mos lënien e kamerave për të hyrë në proces. Administrativja nuk lejoi që seanca të transmetohet live, ndërsa mbrojtja e Veliajt e quajti një proces qesharak që nuk po lejon transparencën.
Gjykata thotë se vendimi i gjyqtarit Hazbi Balliu për të mos lejuar transmetimin e seancës live është marrë më 8 maj dhe është ende në fuqi. Kamerat do të jenë sallë vetëm kur të jepen vendime të ndërmjetme ose përfundimtare, dhe nuk u lejua as transmetimi i pjesës teknike në nisje të gjyqit.
Debati:
Gjykata: Lidhur me mungesën e KLP, çfarë mendimi ka pala paditëse?
Avokati Plarent Ndreca: Të vazhdojë pa praninë e palës.
Veliaj: KLP nuk kthen përgjigje, a ka vendim s’kanë kthyer përgjigje, siç urdhëroni dikë të fshijë filmimet, urdhëroni të vazhdojë ky proces, ky proces duhet të vazhdojë, kur nuk jepet informacion dhe nuk është mbledhur kurrë për të dhënë informacion.
Gjykata: Konstaton mungesën dhe vijon procesin në mungesë të përfaqësuesve të KLP. Keni kërkesë tjetër?
Plarent Ndreca: Nuk shquhem si profesionist për mungesë durimi, mënyra si trajtohet publiku dhe fakti si një efektiv rri te dera dhe ndalon hyrjen në një seancë publike. Nuk e di çfarë do punonjësi aty për të vlerësuar kush hyn apo jo, çfarë di kryesekretarja për të vlerësuar a hyjnë kamerat apo jo? ka kaluar çdo lloj mirëkuptimi dhe nuk gjej fjalë për këtë absurd që po instalohet. Gjykimi duhet të jetë në sytë e publikut dhe ju duhet ta vlerësoni udhëzimin e KLGJ, që në rastin e fundit ju thatë se kamerat nuk duhet të jenë prezent. Pse duhen lejuar KLGJ në aktivitetin e gjykatës?
Gjyqtari: Vendimmarrjen time goditeni pranë institucioneve, unë i referohem udhëzimit të KLGJ.
Ndreca: Jam jashtëzakonisht i qartë, kërkoj hapni procesin për publikun, nuk e kuptoj çfarë frike ka nga ky proces. Ke përballë prokurorin e republikës dhe presidentin që kanë detyrim të japin llogari. Nuk është privilegj pjesëmarrja e publikut.
Gjyqtari: I referohem udhëzimit.
Ndreca: Referoju Kushtetutës.
Gjyqtari: Nëse palët do pranojnë.
Ndreca: Këtu s’ke asnjë palë private. I ke të gjitha shtet, kryetarin e bashkisë, presidentin dhe prokurorin.
Trupa gjykuese ka vendosur që shqyrtimi i çështjes të mos vijohet ditën e sotme, duke caktuar një datë të re për mbajtjen e seancës radhës. Sipas vendimit të gjykatës, seanca e ardhshme do të zhvillohet më datë 3 korrik, në orën 13:00.
Erion Veliaj depozitoi më 23 janar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të vitit 2007-2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Ols Dado, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror nga noter që ishte në vitin 2008. Veliaj kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.