TIRANË-Apeli i Posaçëm ka ndryshuar masën e sigurisë për Ilir Selmanin, i dënuar me 26 vite burg për ekzekutimin e ish-punonjësit të Policisë, Santiago Malko në gusht të vitit 2019. Apeli ka vendour të lirojë nga qelia Selmanin dhe ta kalojë në arrest shtëpie.
Ilir Selmani drejtonte njërën prej makinave që bënë ndjekjen e Malkos, ndërsa më pas është kapur nga kamerat e sigurisë duke mbledhur bishtat e cigareve të konsumuara nga Blendi Teta, edhe ky pjestar i klanit Duka sipas prokurorisë. Malko ka qenë ditën e ekzekutimit në spitalin Pediatrik, ku dërgoi djalin e sëmurë duke lëvizur me një makine normale dhe jo të blinduar. Ky ka qenë momenti kur autorët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga brenda makinës, duke i shkaktuar vdekjen.
VENDIMI:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,
VENDOSI:
-Pranimin e kërkesës, konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për të pandehurin I.S të lidhur me masën e sigurimit “Arrest në burg”, të caktuar me vendimin nr. 145 datë 10.10.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, verifikuar me vendimin nr.43 datë 17.04.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
-Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit I.S duke urdhëruar të pandehurin të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në rrugën “*”, banesë private, nr. * Tiranë.
-Urdhërohet prokurori dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi me anë të mbikëqyrjes së pa ndërprerë të qëndrimit në banesë të të pandehurit I.S.
-Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit I.S dhe shoqërimi i tij për në banesë për ekzekutimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”.
-Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditësh nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
-U shpall në Tiranë, sot më datë 19.06.2026.
Ish-punonjësi i policisë, Santiago Malko, mik i Ervis Martinajt, u vra me dhjetë plumba në makinën e tij mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 pranë zonës së “Porcelanit” në Tiranë. Vrasja e ish-policit u planifikua nga Leonard Duka, vëllai i tij Erlis Duka dhe një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, Ilir Selmani, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku, Xhoni Nica dhe Bledar Teta. Leonard Duka u arrestua në Belgjikë në 14 shkurt të vitit 2023.
Në janar, Gjykata e Posaçme dha dënim edhe për Fatmir Hysenin, Aleksadër Maxhakun, Dritan Agën dhe Oltion Lonën, pjesë e grupit të vrasjes, 25 vjet burg për secilin (130 në total). I vetmi që mundi të marrë pafajësi ishte vëllai i Leonard Dukës, Elvis Duka, për të cilin SPAK nuk mundi të gjejë prova për implikimin e tij në atentat./ZËRI