TIRANË-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur brenda Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza, ku disa qytetarë kanë dhunuar efektivët e policisë. Incidenti në fakt raportohet të ketë ndodhur në fillim të muajit shtator më 6 shtator rreth orës 02:30 të mëngjesit, por deri në publikimin e pamjeve ngjarja nuk u raportua as nga aeroporti dhe as nga Policia e Shtetit.
Në imazhet shihen disa qytetarë duken duke dhunuar efektivët e policisë në ambjentet e aeroportit të Rinasit, ndërkohë që ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë. Personat të cilët u përplasën me policët dhe punonjësit e sigurisë së aeroportit, dyshohej të ishin nipat e ish-deputetit Xhemal Qefalia.
View this post on Instagram
Sipas Policisë së Shtetit, familja me rreth 18 anëtarë do të udhëtonin për pushime drejt Antalias në Turqi me çarter. Sherri ndodhi për radhën në check-in, sipas policisë, për shkak se familjarët kishin edhe fëmijë të vegjël.
Familja ishte duke udhëtuar drejt Turqisë. Një prej grave, e shoqëruar me fëmijë, ka kërkuar të kalojë portën drejt avionit me prioritet, duke mos pritur në radhë. Kjo gjë është kundërshtuar nga stafi i aeroportit Nënë Tereza, i cili i ka shpjeguar zonjës se ky shërbim është me pagesë.
Në këtë moment ka nisur një debat mes familjarëve dhe punonjësve të kompanisë. Më pas, stafi i aeroportit ka njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka kërkuar t’i largojë familjarët për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Në ato momente, djemtë e kryefamiljarit kanë shtyrë dhe goditur me grushte efektivët e policisë.
Në komunikimin e sotëm zyrtar thuhet se pas ngjarjes, kryefamiljari dhe anëtarët e tjerë u kërkuan falje punonjësve të policisë për ngjarjen. Edhe këta të fundit, nuk kanë dashur të bënin kallëzim dhe për këtë arsye çështja u mbyllu. Në komunikatë sqarohet se pretendimet për përfshirje në konflikt të familjarë të ish-deputetit nuk janë të vërteta.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të publikuar për një konflikt të ndodhur në ambientet e aeroportit të Rinasit, gjatë imbarkimit, sqarojmë se:
Më datën 06.09.2025, rreth orës 02.30, gjatë imbarkimit të pasagjerëve që udhëtonin me çarter në Antalia, disa prej tyre kanë debatuar me punonjësit e check in për çështje radhe, pasi kërkonin të kalonin bashkërisht dhe pa radhë, për shkak të fëmijëve të vegjël që kishin.
Nga stafi i aeroportit është kërkuar ndihma e policisë dhe pas ndërhyrjes së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rinas, konflikti është mbyllur.
Kryefamiljari, shtetasi A. M., dhe djemtë e tij, që po udhëtonin familjarisht (rreth 18 shtetas, familjarë bashkë me fëmijë të mitur) për pushime në Antalia, Turqi, u kanë kërkuar falje punonjësve, të cilët nuk kanë dashur të ushtrojnë të drejtën e ankimit dhe të vijonin më tej procedurat për këtë rast.
Duke parë reflektimin pozitiv të familjarëve dhe duke marrë parasysh faktin që kishin edhe fëmijë të mitur me vete, si dhe faktin që punonjësit nuk donin të bënin kallëzim, punonjësit e Policisë Kufitare të Rinasit i kanë këshilluar për moskryerje të veprimeve të tilla dhe i kanë lejuar të vijonin udhëtimin.
Sqarojmë faktin se pretendimet se personat e përfshirë në konflikt janë familjarë të shtetasit Xh. Q., nuk janë të vërteta.